Mentor Dida, 24-vjeçari nga Mitrovica, është koordinator i programit master në ‘Ashoka Youth Venture’ në Washington, organizatë për të rinjtë, për të krijuar dhe nisur sipërmarrjet e tyre.
Dida është diplomuar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, ku ka përfunduar studimet master në teknologji dhe sipërmarrje dhe studime universitare në inxhinieri elektronike (energji alternative).
Iniciativat e 24-vjeçarit kanë qenë të shumta si në Kosovë, po ashtu edhe në SHBA, për nxitjen dhe promovimin e të rinjve përmes teknologjisë.
Ai është bashkë-themelues i organizatës jofitimprurëse Iniciativa për Prosperitet në Kosovë që inkurajon të rinjtë e vendit që të marrin pjesë në punën publike dhe në punën e komunitetit për të rritur rolin e të rinjve në vendimmarrje.
Projekti i parë i Iniciativës së Prosperitetit quhet Lokalizo, një platformë digjitale e hartave që përdor sistemin e hartës GIS në internet për raportimin e çështjeve të komunitetit në Kosovë. Koncepti fitoi projektin më të mirë në Kampin Social Innovations në Kosovë, të drejtuar nga ‘UNICEF Innovations Lab Kosovo’.
Gjatë studimeve të tij, Mentori ishte aktiv në aktivitete të ndryshme duke përfshirë mbledhjen e fondeve për projektet e varfërisë dhe të pastrehëve dhe Universitetin e Iniciativës Globale të Klintonit, ku mori rastin të takohej me ish-Presidentin Clinton dhe të diskutonte çështjet që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm në Kosovë.
Së fundmi Mentor Dida ka publikuar në faqen e tij thirrjen për shoqërinë mbarë, lidhur me figurën e femrës, fuqizimin dhe vlerësimin e saj.
Kjo thirrje vjen në kuadër të organizimit të grave në ‘Marshin e grave’ (Woman’s March), më 19 Janar të 2019-ës.
Marshi i 2019 ndjek atë të zhvilluar në 2017-ën dhe një vit më vonë, atë të 2018-ës.
Edhe më 19 Janar të këtij viti, mijëra gra anembanë botës marshuan për të kërkuar barazinë gjinore.
Demonstruesit mblidhen për 80 ngjarje në 31 qytete, përfshirë Londrën, Berlinin dhe Nju Jorkun për të protestuar kundër dhunës ndaj grave dhe ndikimin gjinor të masave shtrënguese.
Më poshtë gjeni dhe fjalën e Mentor Didës:
“Shoqni,
Sot është një ditë shumë speciale për krejt botën. Gratë janë duke marshu në krejt botën si pjese e “Women’s March”. Janë duke marshu për barazi, fuqizim, dhe një vizion ma të mirë të kësaj bote.
A e dini se cili është shqiptari ma i njoftun në botë? Gonxhe Bojaxhiu (Nëna Terezë), ose Dua Lipa! Krejt bota e ka kuptu se invesitmi ma efikas për ngritjen një vendi është edukimi dhe fuqizimi i femnës. Ne shqiptarët duhemi të krenohemi me femnat tona, por edhe kemi shumë punë për me prioritizu fuqizimin e femnës.
Gëzuar për femnën shqiptare
Gëzuar për femnat në të gjith botën
#womensmarch #kosova”