Stambolli, i themeluar rreth 1000 vjet para Erës së Re, është një nga qytetet më të mëdhenj, më të lashë dhe më të pasur në vlera të shumëllojshme kulturore e artistike të Euro-Azisë.
Është ndoshta qyteti më i madh i botës, në të cilin përgjatë rrjedhës së shumë shekujve janë gërshetuar natyrshëm dhe me intensitet të lartë vlerat kulturore të Lindjes dhe të Perëndimit, pothuajse në të gjitha fushat e jetës, veçanërisht në atë të arkitekturës.
Krahas sarajeve, urave mbi gjiret dhe veçanërisht dy urave të gjata mbi 1000 metra, të varura mbi ngushticën e Bosforit dhe që lidhin Europën me Azinë, një element i arkitekturës moderne të Stambollit janë xhamitë, të cilat filluan të ndërtohen që nga viti 1453.
Ndër xhamitë më të dalluara janë Xhamia Sulejmanie e projektuar nga arkitekt Sinani, e ndërtuar në vitet 1550-1557, Xhamia Blu e projektuar nga arkitekti Mehmet Aga etj.
Pranë disa xhamive gjenden varreza me gurëvarre të gdhendura në forma nga më të shumëllojshmet. Populli turk i kushton vëmendje të veçantë mirërregullimit të varrezave, sepse të gjallët janë mjaft të lidhur shpirtërisht me vlerat morale, me mençurinë dhe përvojën profesionale të të parëve që janë në botën e të shumtëve.
Në Turqi, varret, veçanërisht ata fetarë, kanë simbole që të gjallët i interpretonin si mjete force për arritjen e qëllimeve të tyre në jetë.
Poeti i shquar turk, Jashar Qemali, në bisedime me një ambasador të huaj deklaroi një numër shumë më të lartë të popullsisë seç ishte në të vërtetë. Habisë së ambasadorit ai iu përgjigj: “Sipas regjistrimit zyrtar popullsia e Turqisë është shumë më pak, por unë llogaris gjthnjë edhe të vdekurit”.
Nga studimi i gurëvarreve rezulton se veçanërisht koka e tyre në shumë raste imiton në një masë të konsiderueshme formën e festës ose të çallmës që mbanin ithtarë, profesionistë të profileve të caktuara, nëpunës të çdo niveli në hierarkinë fetare ose politike, komandantë ushtarakë të të gjitha niveleve dhe njësive.
Madje ndryshime në gurëvarre shprehin simbolikisht edhe periudha të caktuara të Perandorisë Osmane, të sunduara nga sulltanë të ndryshëm, sidomos të atyre më me autoritet. Me përjashtime fare të rralla, të gjitha gurëvarret në Turqi kanë mbishkrime nga më të thjeshtat deri edhe epitafe me nivel artistik të arrirë.
Gurëvarret, fare-fare të pakët, që nuk kanë gdhëndje me forma të përcaktuara dhe që nuk kanë mbishkrime janë dëshmi simbolike e gurtë që tregon se në një varr të tillë fle një person që ka kryer detyrën e xhelatit.
Gurëvarret e stolisura me gdhëndje lulesh, vathësh etj, dëshmojnë simbolikisht se nën hijen e tyre flenë gjumin e amshuar gra.