Importi i cigareve ka rënë me ritme më të shpejta se numri i duhanpirësve përgjatë dekadës së kaluar.
Sipas një anketë të INSTAT të zhvilluar më 2018, pirja e duhanit dhe cigareve ka rënë nga 43% e popullsisë së rritur në 2008 në 35% më 2018 në meshkujt e moshës 15-49 vjeç, teksa është rritur me 1 pikë përqindje pirja e cigares tek femrat për të njëjtin afat kohor.
Pirja e duhanit është reduktuar me 7 % përgjatë një dekade ndërkohë që qeveria shtrëngoi masat e kundër pirjes së duhanit, duke mos lejuar konsumin e tij në ambientet kolektive dhe të mbyllura si dhe rriti nivelin e taksimit. Rritja e çmimit të tyre gjithashtu ndikoi drejtpërdrejt edhe në frenimin e konsumit.
Sipas të dhënave zyrtare, importet e cigareve janë ulur disa herë më shumë se numri i duhanpirësve.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave gjatë periudhës 2010-2017, importi i cigareve ra me 31 për qind, , ndërsa numri duhanpirësve është ulur vetëm më 7%, duke sinjalizuar kështu zhvendosjen e konsumit drejt duhanit të dredhur.
Rezultatet e anketës tregojnë se pirja e duhanit e cigareve është më e zakonshme në moshën 30-34 vjeç, meshkujt (44%) dhe gratë (7%).
Cigarja pihet më shumë në zonat urbane (38% burrat dhe 7% gratë) se në zonat rurale (32% burrat dhe 2% gratë.
Përsa i përket nivelit arsimor, 58% e personave me arsim fillor pinë cigare, ndërsa vetëm 31% e personave me universitet tymosin cigare ndërsa për gratë është e anasjellta, pasi pirja e duhanit rritet me nivelin arsimor.
Tek meshkujt përqindja e duhanpirësve ndryshon gjerësisht në prefektura, nga 23% në Korçë dhe 26% në Kukës, në 42% në Tiranë dhe 45% në Vlorë.
Ndërsa tek femrat, përqindja e duhanpirësve rritet me pasurinë e familjes, nga 3% në kuintilin më te ulët në 8% në atë më të lartë, por ky modeli nuk vlen për meshkujt.
Sa i përket dy gjinive, meshkuj kanë tendencë të pinë duhan më tepër se femrat. Rreth 23% e duhanpirëseve meshkuj të moshës 15-49 vjeç raportojnë se pinë më shumë se 25 cigare në ditë, krahasuar me vetëm 3% të duhanpirësve femra.