1595 – Romeo dhe Juliet e William Shekspirit u vu në skenë për herë të parë në Londër (të paktën kështu është pranuar). Krahas Hamletit, Romeo e Juliet është pjesa më e shfaqur e Shekspirit dhe jashtëzakonisht popullore që kur ai ishte gjallë. Romeo e Juliet është gjithashtu një nga dramat e para shekspiriane e shfaqur jashtë Anglisë; një version i shkurtër dhe i thjeshtuar i saj u shfaq në vitin 1604 në Bavari, Gjermani.
1613 – Galileo Galilei vëren Neptunin, por nuk arrin të njohë atë që sheh, disa thonë, i penguar nga mjegulla. Librat e historisë thonë se planeti Neptun u zbulua a përcaktua nga mesi i viteve 1800, pas shumë spekulimesh.
1802 – John Beckley bëhet bibliotekari i parë i Kongresit amerikan. Paga e tij ishte 2 dollarë ditë. Kur pozita e bibliotekarit u krijua më 26 janar 1802, Presidenti Thomas Jefferson i kërkoi mikut të tij ,John Beckley, nëpunës i Dhomës së Përfaqësuesve, për të zënë këtë post. Dhe Beckley shërbeu njëkohësisht në të dy postet. Beckley kishte lindur në Angli më 4 gusht 1757, dhe erdhi në Virxhinia në moshën 11 vjeçare, si shkrues gjykate.
Kur u rrit, ai shërbeu në disa poste gjithnjë e më të rëndësishme politike. Dhe kur qeveria e Virginia u zhvendos nga Williamsburgu në Richmond, Beckley u bë anëtar i këshillit bashkiak dhe pastaj kryebashkiak. Kur John Beckley vdiq më 1807, djali i tij Alfred trashëgoi disa hektarë tokë në atë që sot është Virxhinia Perëndimore, dhe ndërtoi shtëpinë e parë të një fshati, sot qyteti Beckley.
1845 – Poema “Raven” (Korbi) u botua për herë të parë në gazetën Evening Mirror në Nju Jork dhe autori Edgar Allan Poe (1809 – 1849) përdori pseudonimin Quarles në këtë botim. Stili i poemës ishte i ri, ashtu edhe emri i rremë i autorit. Më vonë, Poe do të shprehej në esenë e tij “The Poetic Principle ” se nuk i pëlqente didaktizmi dhe alegoria, edhe pse besonte se kuptimi në letërsi duhet të jetë nën sipërfaqe. Shkrimet me kuptime të dukshme, shkruante ai, pushojnë së qeni art. Poe besonte se shkrimi i mirë duhet të jetë i shkurtër dhe të përqëndrohet në një efekt të veçantë. Ai besonte se shkrimtari duhet të llogarisë me kujdes çdo ndjenje dhe ide. “Këtë mënyrë rigoroze, ndoqa kur shkrova poemën “Korbi”, thotë Poe në esenë “The Philosophy of Composition”.
THE RAVEN, Edgar Allen Poe
1
“Once upon a midnight dreary, while I pondered, weak and weary,
Over many a quaint and curious volume of forgotten lore —
While I nodded, nearly napping, suddenly there came a tapping,
As of some one gently rapping, rapping at my chamber door.
“Tis some visiter,” I muttered, “tapping at my chamber door –
Only this and nothing more.”
Për njohjen e Poes në shqip, një rol të madh si përkthyes luajti Fan Noli në fillim të shekullit XX, kur ndërmorri nismëm për të sjellë në shqip kryeveprat botërore. Në këtë listë, ai futi edhe poemën Korbi. Noli duket se një tjetër gjë pati parasysh; të jetosh në Amerikë, është e lehtë të harrosh se shumica e botës nuk flet anglisht, dhe se shumica e letërsisë në botë nuk është shkruar në gjuhën angleze. Për të lexuar më të mirën e asaj që pjesa tjetër e botës shkruan – dhe për pjesën tjetër të botës të përjetojë letërsinë më të mirë – shkrimtarë të aftë duhet të punojnë në artin e përkthimit. Por kjo nuk është thjesht dy ngjyrëshme. PërkthimI i mirë është pasqyra ku origjinali sheh veten, por përkthimi gjithashtu duhet të qëndrojë më vete për një audiencë të re. Më poshtë, e njëjta strofë e Korbit, e shqipëruar nga Noli.
KORBI
1-
“Një mes-natë të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dermitnja i kapitur
Befas vjen një e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi derë t’ odës sime.
“Dikush është, thashë, jashtë
Që troket mi derën time –
Vetëm kjo, dhe asgjë më.” (shq. Noli)
Përkthyer nga Arjan A. Bejko, (revista «Mehr Licht» Nr.36) gati një shekull pas Nolit, kjo strofë e Poes vjen kështu:
KORBI
1-
“Një mesnatë të zymtuar, mëndjevrarë, shpirtlënduar
Përmbi libra plot enigma, të një lënde të harruar,
Lodhur, gati në dremitje, befas ndjeva një trokitje.
Mjaft të lehtë, si fanitje, pak të ndrojtur përmdi derë
Ndonjë mik është, pëshpërita, që vjen e troket në derë –
Vetëm kjo, dhe tjetër jo.” (shq. Bejko)
Dhe, marrë nga Koha Jonë, përkthyesi Aleko Ballauri e ndjen kështu:
KORBI
1-
“Një mesnatë të trishtuar, po mendoja i drobitur, i dërrmuar.
Dhe qëndroja mbi një vëllim të harruar, me kokën mbi të.
Një trokitje kam dëgjuar, një goditje shumë të lehtë.
Që ishte gati në të shuar te dera, përmbi të.
Ndonjë vizitor troket te dera , po mendoja për këtë.
Kjo do të jetë, asgjë më.” (shq. Ballauri)
Siç tregojnë 3 variantet e mësipërme (të trija të suksesshme) të së njëjtës strofë, përkthim të fjalëpërfjalshëm nuk ka, dhe se nga natyra e të zgjedhurit të një fjale, varet suksesi i përkthimit por edhe i origjinalit. Dhe të mendosh se përzgjedhja e fjales është vetëm fillimi, sepse të lexuarit, tingëllimi, ritmi gjithashtu luajnë rol në transmetimin e ndjenjes, mendimit, kuptimit, sidomos kur është fjala për përkthimin e poezisë. Dallimet kohore, rajonale e pervoja gjuhësore mund jenë faktorë – dhe arsyeja pse 3 përkthyes bëjnë që e njëjta poezi të shijohet ndryshe.
1888 – Ne Sanremo, Itali vdiq anglezi Edward Lear artist, ilustrues, autor, poet, piktor i punësuar për të udhëtuar e vizatuar zogj e kafshë, peisazhe, njerëz e veshje, shtëpi, kështjella në rajonin e Mesdheut; si fushë veprimi Lear zgjodhi Shqipërinë e Greqinë, dhe të gjitha i përfshiu në librat e tij.
Lear ishte i njohur si autor me pseudonimin më të gjatë; Prizzikalo Kattefello Ablegorabalus Ableborinto (akush nuk mund të thotë se nga u nis Edward për krijimin e shprehjeve të tilla që tingëllojnë paksa ballkanikë. Edward Lear lindi në një fshat afër Londrës në vitin 1812, i 20-i mes 21 vëllezërve e motrave. Endërra e ti ishte ilustrumi i një libri me poezi nga “poeti laureat i Anglisë dhe Irlandës”, Alfred Tennyson. Gjatë viteve të fundit të jetës, Lear u vendos në një fshat afër Sanremos, Itali, ku edhe vdiq më 1888. Në pllakën e varrit të tij janë gdhendur disa vargje rreth malit Tomor, që Alfred Tennyson i shkroi kur lexoi librin e Learit Mbi udhëtimet në Greqi e Shqipëri.
To E.L. (Edward Lear)
“Tomohrit, Athos, all things fair.
With such a pencil, such a pen.
You shadow forth to distant men,
I read and felt that I was there”. (Tennyson)
***
(shqipërim)
Për E.L. (Edward Lear)
“Tomor, Athos, gjithçka bukur
Me një laps e me një penë
Pranë njerëzve nga larg i solle,
I lexova dhe ndjeva se atje isha.”
1920 – Walt Disney fillon punën e parë si artist, me pagë 40 dollarë në javë për firmën DK Slide CO. Walt do të bëhej një figurë e madhe e industrisë të filmit të animuar në Amerikë e në botë. Walt Disney (1901 – 1966), së bashku me vëllain e tij Roy Disney, themeloi Walt Disney Productions, më pas kompania më e njohur filmike në botë, sot Walt Disney Company, me të ardhura vjetore prej 45 miliardë dollarësh.
1978 – Suedia ndalon përdorimin e spërkatjes me aerosol për shkak të efektit të dëmshëm për shtresën e ozonit, duke u bërë kështu vendi i parë që miratoi një mase të tillë.
1980- Gjashtë amerikanë pengje në Iran ikin nga Teherani, duke shpëtuar me ndihmën e kanadezëve. Nga kjo ngjarje merr temën filmi Argo (2012), me regji të Ben Affleck e George Clooney, bazuar në një skenar përshtatje e dy teksteve; libri “Master of Disguise” i operativit të CIA-s Tony Mendez; dhe artikulli “The Great Escape” i Joshua Berman, botuar në revistën Wired më 2007.
Mendim i ditës
“Unë jam një pjesë e gjithçkaje që kam takuar.”
Alfred Tennyson