MENU
klinika

Deklarata

Policia në universitete, Spiropali thirrje rektorit

29.01.2019 - 13:49

Përmes një deklarate për mediat, Ministrja e Shtetit për marrëdheniet me Kuvendin, Elisa Spiropali ka komentuar ndërhyrjen e policisë në universitete.

Spiropali u shpreh se ligji nuk i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare.

Ajo gjithashtu theksoi se qeverisë nuk i është kërkuar asnjëherë ndihma për të zhbllokuar mjediset universitare.

“Ligji nuk i jep mundësi qeverisë të ndërhyjë me forcë për të zhbllokuar mjediset universitare, por nga ana tjetër, ligji ngarkon titullarin, pra rektorin që të garantojë procesin mësimor dhe të kërkojë ndërhyrjen e policisë.

Me përjashtim të një rasti kur qeverisë i është kërkuar ndërhyrja nga administratori, në një rast ekstrem, ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë rast në administrimin e universitetit. Qeverisë nuk i është kërkuar asnjë herë ndihma për të zhbllokuar mjediset universitare.

Kuadri ligjor e bën të pamundur që t’u gjendemi, por kemi vullnetin më të mirë për të dialoguar me aktorët e faktorët për një zgjidhje në të drejtë të studentëve. Tanimë nuk kemi të bëjmë më me protestë të studentëve, ajo që ishte protesta i hap rrugë paktit për universitetin dhe plotësimit të kërkesave, ulje të tarifave, por mbi të gjithave një transformim të infrastrukturës universitare, partneritet mes ministrive dhe fakulteteve që kanë lidhje me to, punësimin e të rinjve me rezultateve më të mira, përkthimin e titujve botërorë dhe standard për titujt.

Ajo që ka mbetur është një karikaturë e protestës dhe angazhimin e PD, LSI dhe vetë Sali Berishës, që është i angazhuar me disa segmente të vogla brenda universitetit të ushqyer me tituj të pamerituara dhe punësim të paturpshëm aty ku kanë rrjetet nepotike militante dhe klanore”, u shpreh Spiropali.

Spiropali i bëri “Thirrje rektorit që ti përgjigjet studentëve, ose nëse ka zgjidhje tjetër le ta bëjë publike”.