MENU
klinika

'E rrallë në botë'

Legjenda/ “Katër breza luftëtarësh që nuk e njohën babanë”

29.01.2019 - 19:19

E rrallë në botë, e jo vetëm në Shqipëri!
Në Panarit të Korçës, katër breza luftëtarësh nuk e njohën babanë!

Nuk është legjendë, por një realitet historik, sa tragjik aq dhe heroik! Ka ndodhur në familjen e famshme të panaritasit Bektash Pinderi (Merko) ku, prej katër brezash në luftë, babai s’njohu të birin dhe anasjelltas.

Bektashi i Parë (djalë i vetëm, i rritur jetim, i martuar), sipas historisë, u vra në vitin 1895, në luftë me pushtuesit turq, në përbërje të çetës së patriotit Riza (Xake) Panariti. Pas beteje, e shoqja e priste në shtëpi, por shokët ja shpunë trupin pa jetë. Dhe panaritasit i kënduan:

legjenda 4 brezat-konica.al

Qëllo Xake me dyfek,
Të mos mbesë kodër e breg.
Qëllo Xake përsëri,
Për Bektashin djalë të ri.
Ra mbi dhé e gjë nuk ndjen,
Barku i gruas barut zjen,
Më i fortë tjetri vjen.

Pas vdekjes së Bektashit të Parë, gruaja që kish qenë shtatëzanë lindi djalë (i cili s’e njohu të atin), dhe ringjallën emrin e tij, duke e quajtur Bektashi i dytë. Ky u rreshtua përsëri në çetën e patriotit legjendar Xake Panariti, këtë herë në luftë kundër pushtuesve grekë, ku dhe u vra heroikisht në vitin 1916, pa arritur të shihte fëmijën e tij.

Gruaja i lindi djalë, Bektashin e tretë (viti 1917), i cili që i ri mori pjesë në radhët e lëvizjes Antifashiste NAÇL, deri në çlirim.
Në gusht 1949, monarko-fashistët grekë sulmuan kufirin shqiptar. Bektashi i tretë, komandant batalioni, Regjimenti 18, Divizioni V, vritet nga predhat armike në mbrojtje të kufirit në Postën e Vidohovës.

Lindi edhe gruaja e Bektashit të tretë, veçse kësaj radhe jo djalë, por vajzë, që edhe kjo s’arriti të shohë të atin. E për të vazhduar traditën, vajzës ia vunë emin Bektashe (e katërta), që në fakt e thirrën Natasha, një intelektuale e mirënjohur.

Fati i zi e ndoqi dhe Natashën, e cila që në moshë të re humbi tragjikisht bashkëshortin e saj, Faik Ballanca, por këtë herë historia “legjendë” ishte ndërprerë, fëmijët (brezi i pestë) e njohën të atin.