MENU
klinika

Profil

Xhorxh Marshall dhe plani që rimëkëmbi Evropën…

03.02.2019 - 16:25

George Marshall ka lindur më 31 dhjetor 1880, në Uniontown të ​​Pensilvanisë. Një i diplomuar i Institutit Ushtarak të Virxhinias, ai shërbeu në të dyja luftërat botërore, duke u ngritur në postin e shefit të shtabit të Ushtrisë Amerikane. Pas luftës, ai shërbeu si sekretar i shtetit dhe hartoi “Planin Marshall” për rimëkëmbjen evropiane. Në vitin 1953, Marshall mori çmimin Nobel për Paqen.

Jeta e hershme

Xhorxh Catlett Marshall Jr lindi në Uniontown të ​​Pensilvanisë më 31 dhjetor 1880. Më i riu i tre fëmijëve, fillimisht ishte një zhgënjim për prindërit e tij për shkak të sjelljes së tij të keqe dhe performancën e dobët në shkollë. Kur ai hyri në Institutin Ushtarak të Virxhinias në 1897, megjithatë, ai premtoi se do të kishte sukses. Viti i tij i parë në shkollë ishte i vështirë, por Marshall ishte i vendosur të mësonte rregullat ushtarake dhe të ndiqte urdhrat. Deri në fund të vitit të parë, ai ishte i pari i klasës.

Karriera e hershme ushtarake

Marshall u diplomua në vitin 1901. Një vit më pas, ai u martua me Elizabeth (Lily) Carter Coles dhe u nis për 18 muaj në Filipine si oficer i dytë i këmbësorisë. Kur Marshall u kthye, ai vazhdoi të demonstronte udhëheqjen e tij dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve, duke u diplomuar nga Shkolla e Këmbësorisë në Fort Leavenworth në vitin 1907 dhe Kolegji i Shtabit të Ushtrisë në vitin 1908. Më 1917, kur Shtetet e Bashkuara u përfshinë në Luftën e Parë Botërore, Marshall u zgjodh për të vepruar si shefi i operacioneve për ndarjen e parë të ushtrisë dërguar në Francë. Atje, ai shërbeu si planifikues kryesor i operacioneve, duke përfshirë betejat e Aisne-Marne dhe Meuse-Argonne. Pas luftës, Marshall shërbeu për pesë vjet si ndihmës i kampit të Pershing dhe pesë vjet si komandant ndihmës në Shkollën e këmbësorisë së ushtrisë së SHBA në Fort Benning të Gjeorgjisë.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë në Luftën e Dytë Botërore

Më 1 shtator 1939, ditën kur bota u fut përsëri në luftë, Xhorxh Marshall u betua si shef i shtabit për Ushtrinë e SHBA. Në atë kohë kishte më pak se 200,000 ushtarë amerikanë. Në më pak se katër vjet, Marshall kishte ndërtuar  një ushtri të trajnuar mirë dhe të pajisur me 8,300,000 ushtarë.

Karriera pas Luftës

Në nëntor  1945, në fund të luftës, Marshall dha dorëheqjen nga posti i tij ushtarak, por vetëm disa ditë më vonë, Presidenti Harry Truman e bindi atë të shërbejë si përfaqësues i tij i posaçëm për të ndërmjetësuar në luftën civile kineze. Megjithatë, Marshall nuk ishte në gjendje të gjente një zgjidhje, dhe kur Kina më vonë u fut në komunizëm në vitin 1949, Marshall do të gjendej nën shënjestren e sulmeve të egra nga antikomunistët si Senatori Jozef McCarthy.

Plani Marshall, plani që rimëkëmbi Evropën…

Pavarësisht nga dështimi i Marshall për të zgjidhur konfliktin kinez, Presidenti Truman e emëroi atë sekretar të shtetit në vitin 1947. Ekonomia evropiane ishte e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kishte paqëndrueshmëri të madhe politike. Në qershor të vitit 1947, Marshall propozoi një program gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes ekonomike, i njohur më vonë si Plani Marshall, i cili do të hiqte barrierat tregtare, do të modernizonte industrinë dhe do ta bënte Evropën përsëri të begatë.

Arsyeja kryesore e Planit Marshall ishte frika e kaosit në Evropën perëndimore. Këtë e shihje po të shkoje në kinema çdo fundjavë. Para se të fillonte filmi, dokumentari fliste për problemet e Evropës. Gratë dhe fëmijët që gati po vdisnin nga uria prekën zemrat amerikane. Pra nga njëra anë ishin gratë dhe fëmijët në Evropën perëndimore. Nga ana tjetër ishte fuqia e partisë komuniste në vende si Franca dhe Italia, gjë që ishte shqetësuese.”

Partitë komuniste ishin të fuqishme në Francë dhe Itali. Evropa lindore ishte pushtuar nga ushtria sovjetike. Kishte papunësi masive. Industria evropiane kishte ngecur në vend. Menjëherë pas furnizimeve emergjente me ushqime dhe veshje, Plani amerikan Marshall u përqendrua në pikat më delikate të ekonomisë. Minierat e qymyrgurit ishin të parat që përfituan. Pa qymyrgurin për të vënë në punë fabrikat, ekonomia evropiane nuk do të mund ta merrte veten.

Shtetet e Bashkuara dhanë 13 miliard dollarë për katër vjet, ekuivalenti i 100 miliard dollarëve sot të shpërndara në 16 vende. Por ndoshta, pjesa më e rëndësishme e Planit Marshall ishte ndikimi në moralin e evropiano-perëndimorëve. Edhe ish vendet armike si Italia dhe Gjermania ishin të përfshirë në plan. Uinston Çërçill e quajti Planin Marshall aktin më moral në histori. Rindërtimi nga lufta më shkatërrimtare e historisë ishte dramatik. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Evropës perëndimore u rrit 32 përqind në katër vjetët e Planit Marshall, duke nxitur një rritje ekonomike afatgjatë dhe siguroi kornizën e asaj që më vonë u bë Bashkimi Evropian.

Plani ishte një sukses, dhe në vitin 1953, Marshall mori Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tij.

Vitet e fundit të jetës

Kur shpërtheu Lufta e Koresë në vitin 1950, Presidenti Truman përsëri e emëroi Marshallin sekretar të mbrojtjes. Për shkak të shëndetit të keq, Marshall shërbeu vetëm një vit para se të tërhiqej tërësisht në shtator 1951. Ai vdiq në Uashington, D.C, më 16 tetor 1959, në moshën 79 vjeçare.