Të tjera detaje dalin për ngjarjen e Vlorës, ku një burrë mbyti gruan e tij me duar dhe më pas preu damarët e tij me thikë në gjendje të rënduar psikologjike.
Por duket se vrasja e gruas 45-vjeçare në Vlorë ishte një tragjedi e paralajmëruar ashtu si shumë të tjera që kanë ndodhur në vend.
Para disa kohësh çifti Lera përfundoi në polici, pasi Teodori i kishte çarë kokën gruas së tij dhe ishte arrestuar nga forcat e policisë. Por më pas bashkëshortja e tij Eva e kishte falur dhe ishte ribashkuar me babain e fëmijëve të saj.
Teodor Lera, 57 vjeç dhe Eva Lera, 45 vjeçe ishin prindër të tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Një prej vajzave jeton në Amerikë, djali në Angli dhe vajza tjetër në Tiranë ku ishte studente.
Mësohet se ata ishin nga fshati Bunavi por prej disa vitesh jetonin në Vlorë, ku Eva shiste rroba të përdorura për të siguruar jetesën.
Informacion paraprak
Sot rreth orës 12:10, në lagjen “Kushtrimi”, në katin e parë të një pallati është gjetur e pa jetë një shtetase 45 vjeçe.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ajo mund të jetë vrarë nga bashkëshorti.
57-vjeçari më pas, dyshohet se ka prerë damarët. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë banorës të lagjes, fqinjë të familjes Lera kanë treguar se Teodor Lera, të cilit të gjithë i thërrisnin Todi, ishte shumë xheloz për gruan e tij Eva.
Megjithatë ata flasin për njerëz të qetë por se ishin në dijeni për xhelozinë, pasi gruaja nuk dilte nga shtëpia.
“Vajza ka ardhur në mëngjes në Vlorë se ajo rrinte në Tiranë, ishte studente. Ai ishte shumë xheloz. Ai nuk punonte, vetëm kjo punonte, shiste rroba. Ata jetojnë prej 5 vitesh në shtëpinë e vëllait të tij në Vlorë. Por ishte shumë xheloz. Ajo nuk dilte nga shtëpia, as flokët nuk i krehte sepse ishte ai xheloz. Vetëm në punë e brenda. Kanë ardhur nga Bunavia që të punonte dhe ai. Se shtëpinë e tyre e kishin në Bunavi”, tregoi fqinja e familjes.