MENU
klinika

Nga Bloomberg

Pse Trump s’ka nevojë për Maqedoninë e Veriut në NATO?

08.02.2019 - 12:16

Një vend i vogël me një buxhet të dobët të mbrojtjes që bashkohet me aleancën ushtarake nuk  shërben për asnjë qëllim.

Maqedonia e Veriut nënshkroi këtë javë për t’u bërë anëtari i 30-të i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior. Kjo ngre pyetjen se çfarë do të thotë me të vërtetë anëtarësimi në aleancë.

Tucker Carlson i Fox News ka argumentuar se nuk ka kuptim që amerikanët të vdesin për Malin e Zi ose shtetet Baltike, edhe pse Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut kërkon që Shtetet e Bashkuara t’i vijnë në ndihmë të të dy vendeve nëse ata sulmohen. I pyetur nga Carlson për Malin e Zi, Presidenti Donald Trump shprehu shqetësim se “njerëzit e tij të fortë, agresivë” mund t’i shkaktojnë telashe Shteteve të Bashkuara,

Zgjerimi i NATO-s në shtetet baltike, dhe pastaj në Ballkan, kanë kuptim strategjik për Shtetet e Bashkuara, për aq kohë sa e sheh Rusinë si një kundërshtar afatgjatë.

Raundi i parë i anëtarëve të rinj e kufizoi aftësinë e Rusisë për të kërcënuar Europën Perëndimore ushtarakisht. Edhe nëse Estonia, Letonia dhe Lituania nuk mund të mbrojnë veten e tyre, ato rrisin koston e sulmeve ruse.

Tani që Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme veprimi (INF) ka marrë fund, anëtarët e Evropës Lindore të NATO-s do të jenë veçanërisht të rëndësishme: Në rast të një përshkallëzimi të konfliktit me Rusinë, mund të vendosen raketa të afta për të goditur ndonjë qytet në perëndim të Rusisë brenda disa sekondash.

Në Ballkan, logjika ndryshon. Jugosllavia ishte vendi ku NATO luftoi luftën e parë dhe bën sens të konsolidojë praninë atje për të parandaluar një ringjallje të luftimeve. Nëse Serbia, me ndihmën ruse, do të bënte ndonjëherë ndonjë përpjekje për dominimin në rajon, anëtarësimi i Kroacisë do të ishte një kundërpeshë e fuqishme. Mali i Zi do të ishte me vlerë për të njëjtën arsye .

Po tregohem bujar këtu. Ndikimi i Rusisë në Ballkan është i ekzagjeruar dhe është më tepër një çështje e traditës, çështje dëshirash dhe oportunizmi sesa strategji me qëllime specifike afatgjata.

Në rastin e Maqedonisë Veriore, çështja ruse nuk do të justifikonte zgjerimin e NATO-s.

Rusia ka kundërshtuar anëtarësimin e vendit dhe u përpoq të inkurajojë nacionalistët që ta pengojnë atë. Por nuk ka forca politike në Maqedoninë e Veriut që favorizojnë një aleancë me Rusinë. Edhe partia e opozitës VMRO-DPMNE, ka mbështetur prej kohësh anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Ndryshe nga Mali i Zi, vendi ka vetëm një diasporë të vogël ruse dhe pak investime ruse. Ndikimi i Turqisë, ende një aleat i NATO-s, është shumë më i fortë.

Është e vështirë, nëse jo e pamundur, për të gjetur ndonjë çështje gjeostrategjike për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Vendi nuk luajti ndonjë rol të madh në konfliktin e Ballkanit. Është i vogël dhe i varfër në burime.

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev është më e interesuar për anëtarësimin në NATO si një garanci sigurie sesa si një parakusht de facto për anëtarësimin në BE. Të gjithë anëtarët ish-komunistë të BE hynë në NATO, para se të futeshin në BE.

Nuk ka kërkesë formale për t’u bashkuar me NATO përpara BE; dhe Serbia, të paktën tani për tani, është e prirur të jetë pjesë e BE por jo e NATO-s. Por mbetet kolona e sigurisë efektive e bllokut pavarësisht nga të gjitha bisedimet e kohëve të fundit të një ushtrie të BE. Maqedonia e Veriut nuk ka interes të sfidojë këtë konventë: E ardhmja e saj ekonomike varet nga lëvizja e shpejtë përgjatë rrugës evropiane.

Për Shtetet e Bashkuara, ombrellën e sigurisë për vendet e NATO-s, Maqedonia e Veriut duket të jetë vetëm një tjetër vend që përfiton nga bujaria e të tjerëve pa dhënë asgjë në këmbim.

Shpenzimet e saj ushtarake do të arrijnë në 1.19 për qind të produktit të brendshëm bruto këtë vit, pothuajse të njëjtin nivel si në Gjermani. Në terma absolutë, është një peshë e lehtë, rreth 153 milionë dollarë në vitin 2019 për një ushtri me rreth 8,000 personel aktiv. NATO nuk fiton asgjë duke e marrë atë dhe duke e shtrirë ombrellën pak më shumë.

Aleanca nuk po humb shumë, pasi vështirë se Rusinë, ose kushdo tjetër, do të sulmojë Malin e Zi apo Maqedoninë e Veriut. Nuk ka kuptim që aleanca të mirëpresë anëtarët e rinj thjesht sepse Rusia nuk dëshiron që ata të bashkohen: Kremlini është, në parim, kundër çdo lloj zgjerimi të NATO-s.

Nëse SHBA vërtet dëshiron të bëjë partnerët e saj evropianë që të shpenzojnë 2 për qind ose më shumë të PBB-së së tyre për mbrojtje, ky qëllim nuk do të realizohet kurrë duke pranuar më shumë vende që nuk e bëjnë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk duan të ecin drejt Perëndimit...

Maqedonasit vendosin për fatin e vet…


Nga fansi i Putinit tek “Dr. Oz”

Më të rrezikshmit në kabinetin e Donald Trump

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!

SPD në krizë: Olaf Scholz apo Boris Pistorius

Cilin do të zgjedhin kancelar në zgjedhjet e 23 shkurtit?