“Mbi gjithë nevojat, varfëria është ajo që na mëson më tepër”.
Zhyl Verni ka qenë një nga autorët më me ndikim të tregimeve për fëmijë dhe atyre me aventura. Nëpërmjet romaneve të tij shkencore, atë e kujtojmë si një babanë e themelit të fantashkencës moderne. Me mënyrën e shtjellimit të ngjarjeve në romane, ai befasoi shkencëtarët, magjepsi lexuesit dhe u rendit së bashku me Agata Kristin dhe Uilljam Shekspirin.
Zhyl Verni lindi më 8 shkurt 1828, në Nantë, studioi për drejtësi, i nxitur nga i ati jurist, i cili dëshironte ta shihte të birin si drejtues të zyrës së avokatisë. Në të njëjtën kohë, ai shkruan pjesë teatri. Më pas, shkon në Paris për të vazhduar studimet, ku shpeshherë në sallonet letrare takohet me Dymanë, babanë dhe djalin, miqësi e cila i lejoi të vinte në skenë një komedi në vargje në vitin 1850.
Sa filozofike është vepra letrare e Zhyl Vernit, e udhëhequr nga udhëtimi, kërkimi, eksplorimi?
I apasionuar pas teknikës, adhurues i udhëtimeve dhe imagjinatës, Zhyl Verni është pionier i zhanrit të ri letrar, zhanrit të fantashkencës. Autori ia del të ngërthejë për bukuri aventurën, zbulimet gjeografike dhe shkencore. Pas vdekjes, ai la një sërë dorëshkrimesh për t’u botuar. Lexuar nga lexuesit e të gjitha moshave, Ai është një nga autorët më të popullarizuar dhe më të përkthyer në botë. Grupmoshat që e lexuan, ëndërruan dhe jetuan me aventurat e tij. Siç mrekulloi të rriturit, po ashtu arriti të magjepsë edhe të vegjëlit. Pa anashkaluar faktin që shkencëtarët, zbuluesit dhe studiuesit i habiti me faktet dhe përfytyrimet, me saktësinë e tyre pas ballafaqimit vite më vonë.
Pierre Macherey shprehet se se motivi kryesor në krijimtarinë e Zhyl Vernit është udhëtimi… më saktësisht është udhëtimi nëpër hapësirën e botës. Mund ta quajmë “udhëtim”, por mund të flasim edhe për lëvizje, zhvendosje, rrugëtim, kalim, penetrim, kthesa dhe rrugëkryqe, devijime etj. Ideja nuk është udhëtimi në kuptimin e mirëfilltë nga pika A në pikën B, sipas një plani, por udhëtimi si një udhëtim.
Po ashtu duhet thëne se jemi ne pasagjerët e romaneve të Zhyl Vernit, spektatorë-eksplorues, ne e projektojmë veten në hapësirën e librit. Nëse filozofia e të qenit-në-botë shpaloset n5 këtë mënyrë nëpërmjet Udhëtimeve të jashtëzakonshme të kapitenit Nemo, Ferguson, Lidenbrok apo karaktereve të tjera verniane, edhe filozofia gjithashtu formësohet përmes faqeve dhe rreshtave që shfletojme, apo nga lexues të tjerë në kërkim të një hapësire imagjinare.
Një tjetër veçanti e krijimtarisë së Vernit ishte ironia ndaj fuqisë njerëzore. Në secilin prej librave të tij dallohet një ironi e vazhdueshme drejt fuqisë njerëzore. Kurrë në histori, kjo fuqi nuk ka qenë aq e madhe, sa Verni i shndërruar në interpretin e saj më entuziast. Gjatë shekullit të 20-të veprat e Vernit u përkthyen në më shumë se 140 gjuhë, duke e shndërruar atë një nga autorët më të përkthyer në botë. Një numër filmash të suksesshëm morën spunton nga romanet e Vernit, nisur në vitin 1916 me “Njëzet mijë lega nën det” (duke u rikthyer në 1954 nga Ëalt Disney), “Ishulli i mistershëm” (1929 dhe 1961), “Nga toka në hënë” (1958), “Udhëtim për në qendrën e Tokës” (1959) dhe, ndoshta më i njohuri “Rreth botës për 80 ditë” (1956).
Ndikimi i Vernit shtrihet përtej letërsisë dhe filmit në botën e shkencës dhe teknologjisë, ku ai frymëzoi gjenerata të shkencëtarëve, shpikësit dhe eksploruesit. Në vitin 1954, Marina e Shteteve të Bashkuara lëshoi nëndetësen e parë në botë me bazë bërthamore, e quajtur për Nautilusin e Vernit. Dhe për më shumë se 130 vjet, aventurierë të tillë si Nellie Bly (1890), Ëiley Post (1933) dhe Steve Fossett (2005) kanë ndjekur gjurmët e heroit imagjinar të Verne Phileas Fogg, duke u përpjekur të qarkullojnë globin në kohë rekord.
Ai ishte një mendje e ndritur, një forcë e tranformimit të përfytyrimeve në fakte shkencore të pakontestueshme. Një shkrimtar me krijimtari të ngjeshur, ndër të cilët: “Nga toka në hënë”, “Aventurat e kapitenit Hateras”, “Rreth botës për 80 ditë”, “Rreth hënës”, “Udhëtim për në qendër të tokës”, “Njëzet mijë lega nën det”, “Ishulli misterioz” etj.
Aforizma nga Zhyl Verni:
“Sa më pak komoditete kemi, aq më pak nevoja kemi. Sa më pak nevoja kemi, aq më të lumtur jemi”.
“Vetmia, izolimi, janë gjëra të dhimbshme dhe shkojnë përtej asaj që një njeri mund të përballojë”.
“Me lirinë, librat, lulet dhe hënën, kush nuk do të ishte i lumtur?”.
“Liria është diçka për të cilën ia vlen të paguash që ta kesh”.
“Deti është gjithçka”.
“Shkenca është e përbërë edhe nga gabime, të cilat janë të vlefshme të bëhen, sepse ato të çojnë hap pas hapi drejt të vërtetës”.
“Në Tokë nuk ka parajsë, por ka copëza të saj”.