Edhe në Republikën e Shqipërisë, pas fillimit të proceseve demokratizuese postotalitare, që në fillim të viteve 1990, të rejat dhe të rinjtë që përfundonin ciklin e arsimit të mesëm fituan praktikisht të drejtën për të zgjedhur vetë profilin e shkollimit në universitete.
Në rrethana të tilla, të rejat e të rinjtë, veçanërisht prindërit e tyre, filluan të këshillohen me specialist të profileve të ndryshme, me pedagogë të universiteteve.
Në shumicën e rasteve djemtë maturantë dhe sidomos vajzat, mospranimin e tyre për profesionin aq human të mjekut e kanë arsyetuar: “nuk shoh dot gjakun”, “nuk kam zemër të punoj ndërmjet njerëve që kanë dhimbje”, “sëmurem vetë kur shoh njerëz të sëmurë”, “më zë gjaku” etj.
Mendësi të tilla kanë qenë dhe janë mjaft të përhapura në shoqërinë shqiptare. Pathemeltësi të mendësive të tilla argumentohen edhe nga përvoja e kirurgut Frederik Shiroka.
Mjekët akademikë të disa vendeve të Europës e kanë karakterzuar Dr. Shirokën si “kirurgu me duar të arta”, “si kirurgu universal…bisturia e të cilit nuk la pjesë të trupit të njeriut pa prekur dhe ishte jetëdhënëse për qindra e mijëra pacientë që operoi”.
Në personalitetin e Frederik Shirokës ishin përqendruar në mënyrë të mahnitshme, si rrallëherë në historinë e mjekësisë botërore, cilësitë e virtytet më të arrira si: spontaniteti për të përballuar çdo vështirësi në jetë dhe në punën aq të ndërlikuar të kirurgut, formimi me njohuritë mjekësore më të përparuara të kohës dhe talenti i jashtëzakonshëm për t’i zbatuar ato me shpirt krijues.
Për këto dhe shumë karakteristika të tjera të fisme Frederik Shirokën e kanë pagëzuar edhe si “poet i kirurgjisë shqiptare”.
Një bashkëpunëtor i afërt në operacionet e shumta ka shkruar: “Kur hynte Shiroka në pavion sikur hynte dielli. Ky nuk është ekzagjerim, kjo gjë është e vërtetë. Për këto gjëra flitej në popull për vite me radhë, madje edhe sot pas shumë vtesh, kur nuk e kemi më Shirokën. Vetë prania e tij i mbushte të sëmurët me gëzim, me optimizëm e bindje në suksesin e operacionit që do të bënin dhe në shërimin e plotë të tyre”.
Para se të fillonte funksionimin Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Tiranës, ai ka dhënë mësim në shkollën e mesme mjekësore. Shpesh në operacionet e tij asistonin edhe nxënësit. Si rrjedhojë e teknikave kirurgjikale jo shumë të përshtatshme, në ato vite operacionet kryheshin me gjakderdhje të konsiderueshme.
Jo rrallë ndodhte që nga gjakderdhja disa nxënës të humbnin ndjenjat. Këta nxënës, kirurgu shpirtmadh, duarartë e vizionar, i projektonte si kirurgë të ardhshëm.
Sipas kujtimeve të nxënësve të tij, Frederik Shiroka në situata të tilla arsyetonte: “Nxënësit që humbin ndjenjat kur shikojnë gjak, kanë shpirt shumë të ndjeshëm. Kjo ndjeshmëri kthehet në përkushtim për t’i shërbyer të sëmurëve, kthehet në forcë për të përballuar vështirësitë më të mëdha gjatë operacioneve të rënda në emër të jetës”.
Një interpretim i tillë vizionar për ndjeshmërinë ndaj gjakut, vlen edhe në ditët tona, edhe për të ardhmen.
Z.D “Lente të ndërveprimit simbolik”