Partia Demokratike do të mbledhë sot në orën 18:00 Kryesinë dhe nesër në orën 17:00 Këshillin Kombëtar.
Mbledhja e Kryesisë së PD gjatë ditës së sotme vjen pas vendimit unanim të grupit të PD për djegien e mandateve. Vendimi përfundimtar për djegien e mandateve jepet nga Këshilli Kombëtar i PD-së.
Gjatë mbledhjes së grupit të PD u vendos të mandatohet kryetari Basha që të mbledhë Këshillin Kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar dhe të ngrihet një grup pune për teknikalitetet me njerëz që njohin ligjin dhe zgjedhjet. Janë propozuar për grupin: Gaz Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Ivi Kaso.
Gjatë ditës së sotme, Basha deklaroi se nuk ka më kthim pas për djegien e mandateve dhe se nuk do të ketë më parlament fasadë.
“Ajo që do të ndodhë është kjo nuk ka kthim prapa. Nuk është thjesht çështje mandatesh. Nuk do ketë më parlament, nuk do ketë më. Nuk ka pasur por nuk do ketë parlament fasadë. Ata mund të mblidhen, do vazhdojnë të marrin vendime kundër shqiptarëve, shqiptarët do t’iu përgjigjen dhe ne do jemi në krahë të shqiptarëve për t’iu përgjigjur që nga dita e enjte”, ka theksuar kryetari i PD.