MENU
klinika

Protesta e opozitës

Kryemadhi paralajmëron: Do rrethojmë Parlamentin çdo seancë

26.02.2019 - 18:13

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi në protestë, se sa herë të ketë seancë, Parlamenti do të rrethohet nga protestuesit.

Kryemadhi tha se opozita zgjodhi të ishte si populli dhe të dilte në shesh si qytetarët. Ndër të tjera, ajo shtoi se deputetët e mazhorancës nuk janë përfaqësues të popullit por të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve.

Hajdutët kanë frikë dhe sot frikacakët përdhosën për të disatën herë selinë e Kuvendit, selinë e atij Kuvendi ku për hir të së vërtetës parlamentarët nuk kanë frikë nga populli i tyre, por përkundrazi, e përfaqësojnë atë. Ata sot treguan edhe njëherë që nuk janë përfaqësues të popullit. Ata treguan edhe njëherë që janë përfaqësues të Avdylajve, Bajrave, Habilajve dhe kriminelëve, që jo vetëm vodhën, kërcënuan shqiptarët, por edhe i varfëruan ata.

Ai Parlament ku sot kanë më shumë se katër orë që janë ngujuar deputetët nga frika, sot tregon edhe njëherë që është parlamenti që punon vetëm për pesë veta. Ai parlament sot tregoi edhe njëherë që në thelbin e zemrës së tyre nuk ekziston respekti dhe dashuria për votuesit e tyre socialistë, por ekziston vetëm dashuria për Vangjushin dhe për gjithë kriminelët e tjerë, që përdorën paratë e drogës për të bërë Edi Ramën kryeministër të Narkoshtetit”, deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI, gjithashtu iu bëri thirrje ‘socialistëve të ndershëm’ siç i quajti ajo, që të bashkohen me opozitën.

“Janë papunë, kanë falimentuar bizneset e tyre nga taksat e larta, u janë larguar fëmijët e tyre në emigracion për një vend pune më të mirë, për të gjithë ato nëna dhe baballarë, të gjithë ata shqiptarë të cilët ndjejnë çdo ditë e më shumë mundësitë për të shkolluar e për t’i rritur fëmijët e tyre e kanë çdo ditë e më të pakët. Prandaj sot prezenca jonë nuk është vetëm për sot.

Por do të jetë çdo ditë. Do të jetë çdo ditë dhe në çdo moment, që ajo seli e parlamentit e cila në çdo moment ka qenë foltorja e fjalës së lirë në këto 27 vjet, nuk do të jetë e lirë nga rrethimi që populli do t’i bëjë asaj, sa herë që ata do të duan të bëjnë seancat e krimit të organizuar në atë parlament”, u shpreh Kryemadhi.