Bebe Rexha është kthyer në Nju Jork për ta takuar babin e saj me të cilin, ajo nuk flet prej dy javësh për shkak të videoklipit të saj të fundit, i cilësua nga baba Flamuri si “pornografi”.
Ajo gjithmonë është shumë provokuese në videoklipet që realizon, por edhe postimet në rrjetet sociale. Por këtë herë, duket se Bebe Rexha e ka ngjallur reagimin e fansave pasi postoi në Instagram një mesazh që i kishte dërguar babai i saj, Flamuri, duke komentuar “Babai më urren”…
“Bën mirë të mos postosh më pornografi idiote sepse më ka ardhur në maj të hundës dhe nuk mund ta duroj më. Më vjen zor të dal në publik. Jam shumë i mërzitur me ty, nuk mund ta besoj”, shkruhet në mesazhin që babai i ka dërguar këngëtares.
Por disa orë më vonë ajo e fshiu postimin dhe shpjegimin e dha në Twitter. “Im atë nuk është njeri i keq. Nuk duhet ta kisha postuar kurrë atë foto. Jam e zhgënjyer me veten, doja të bëja sarkazëm”, shkroi Bebe. “E kuptoj origjinën e tij dhe prandaj teksti i tij ishte pak i ashpër. Jam e mërzitur që nuk më foli, por mbetet babai im”.
Më vonë, ajo u detyrua t’i dilte në mbrojtje Flamurit, pasi fansat nisën ta sulmonin. “Mos thoni gjëra të këqija për të sepse është babai im dhe është i mrekullueshëm”, shkroi Bebe përsëri në Twitter.