MENU
klinika

Risia

Gjendet te kallamarët, alternativa ekologjike për plastikën

27.02.2019 - 16:29

Ka një alternativë ekologjike për plastiken, dhe ajo vjen nga kallamarët. Zbulimi i detyrohet kërkuesve të Universitetit të Pensilvanisë, nën koordinimin e Melik Demirel dhe Abdon Pena-Francesch.

Një proteinë e zbuluar në dhëmbët rrethorë të kallamarëve, mund të revolucionarizojë botën, duke zëvendësuar shumë materiale plastike e duke zvogëluar pasojat mjedisore.

Natyra, shpjegojnë autorët e studimit të publikuar në revistën “Frontiers in Chemistry”, prodhon plot substanca me veti të jashtëzakonshme, që mund të përpunohen për t`ua përmirësuar karakteristikat.

Proteina e gjetur tek kallamarët, e quajtur Srt, ka ngjallur interes të madh për veçoritë e saj, pasi është elastike, e përkulshme, rezistente dhe në gjendje të vetë-rregullohet.

Ajo mund të integrohet fare mirë me materiale të tjera e të procesohet në fibra që do të gjenin aplikim të gjerë, duke nisur nga të ashtuquajturat “veshje të zgjuara” që mbrojnë nga substancat ndotëse, ndërsa monitorojnë shëndetin e atij që i mban e duke vazhduar tek sektorët e energjisë, bio-mjekësisë, sigurisë e mbrojtjes.

E ndërkohë, për prodhimin e saj as nuk do të duhet të vriten kallamarët sepse shkencëtaret kanë gjetur rrugën për ta prodhuar në laborator, përmes bakterieve të modifikuara gjenetikisht.