MENU
klinika

Tregohuni të kujdesshëm

5 gabimet e make up-it që ju plakin fytyrën

27.02.2019 - 22:09

Makijazhi është shumë i rëndësishëm për çdo femër dhe është pjesë e rutinës së përditshme.

Por nëse ju nuk tregoheni e kujdesshme, grimi mund të kthehet në burim sëmundjeje apo edhe t’ju dëmtojë e të plakë lëkurën.

Më poshtë po i listojmë gabimet kryesore që bëjnë femrat me makijazhin, duke ju ndihmuar ti parandaloni dhe eliminoni këto gabime.

1. E ndani grimin tuaj me mikeshën tuaj apo bëni makijazh në qendrat estetike dhe floktari;

Grimi është diçka shumë personale dhe është pjesë e higjienës. Nëse ju e ndani krem pudrën tuaj, sfungjerët apo furçat e makijazhit me mikeshën tuaj, apo nëse bëni shpesh makijazh në qendra estetike, ka shumë mundësi që lëkura juaj të infektohet. Kujdesuni që ti mbani mjetet e makijazhit sa më të pastra dhe në qendra estetike të kërkoni që t’ju shërbejnë me furça dhe sfungjerë të personalizuar.

2. Nuk shikoni datën e afatit të fundit të produkteve të makijazhit;

Megjithëse datat e skadimit të produkteve të makijazhit janë shpesh disa vjeçare, ju mund të harroni të kontrolloni herë pas here datat e afatit të fundit, dhe në këtë mënyrë dëmtoni lëkurën tuaj.

3. Flini pa pastruar makijazhin nga fytyra;

Ka raste që mbërrini në shtëpi e lodhur dhe shkoni direkt në shtrat pa fshirë makijazhin nga lëkura? Mundohuni ta largoni njëherë e përgjithmonë këtë ves, pasi lëkura ka nevojë të marrë ajër, dhe nata dhe gjumi është rigjeneruese për lëkurën. Një gabim i tillë ju kushton jo vetëm plakjen e shpejtë të lëkurës por edhe dëmtimin e saj, duke krijuar rrathë të zinj rreth syve dhe duke ndryshuar madje edhe yndyrën e lëkurës tuaj.

4. Vendosni zgjatime për qerpikët;

Disa qerpikë fals përmbajnë disa substanca të dëmshme që mund të irritojnë sytë tuaj. Nga ana tjetër zgjatimet e qerpikëve ndikojnë në dobësimin dhe rënien e qerpikëve tuaj natyralë. Prandaj tregoni kujdes dhe mos i përdorni ato, përveç ndonjë rasti apo eventi tepër të veçantë ku realisht janë të domosdoshme.

5. Përdorni laps apo penel në pjesën e poshtme dhe të brendshme të syve;

Sigurisht që lapsi është një element i pandashëm makijazhi për shumë femra, pasi bën që sytë tuaj të dalin në pah dhe të duken më të bukur. Por duhet të eliminoni aplikimin e lapsit ose penelit në pjesën e poshtme dhe të brendshme të syrit, pasi dëmtoni florën bakteriale natyrale të syrit duke ndikuar në shfaqjen e irritimeve apo sëmundjeve në sy.