MENU
klinika

Fluturimi 1929: Gjirokastër-Tiranë

A do rijetëzohet aeroporti i parë shqiptar?

30.08.2018 - 17:01

Aeroporti 80 vjeçar i Gjirokastrës është ndër të parët në vend, mbase pikërisht për vjetërsinë që ka është lënë krejtësisht jasht funksionit. Ëndrra për rijetëzimin e këtij aeroporti është fanepsur përpara syve të shoqërisë civile në Gjirokastër në momentin kur dëgjuan planin e qeverisë për ndërtimin e një aeroporti me kusht që të jetë 100 km larg. Anëtarë të këtij forumi pohojnë rëndësinë e pasjes së një aeroporti në Gjirokastër i cili do të ndikojë ndjeshëm edhe në zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës. Por cila është historia e ngritjes së këtij aeroporti të parë në Shqipërinë që zhvillimin infrastrukturor e ka njohur më vonë se vendet e tjera të rajonit? Përse u zgjodh pikërisht Gjirokastra afro 80 vite më parë?

Ishte shtatori i vitit 1924 kur autoritetet shqiptare pranuan kontratën me shoqërinë “Adria-Aeroloyd” e cila çoi në hartimin e një ligji që do të bënte historinë e aviacionit civil shqiptar. Çelja e një aeroporti civil u shoqeruar me vënien në funksion të linjës së parë ajrore të brendshme: Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Fluturimi i parë u inaugurua në 11 gusht të vitit 1929. Udhëtimi u cilësua komod për kohën por vështirësia kryesore ishte gjetja e ekuipazhit që do të asistonte në cdo fluturim.

Në këto kushte prej këtij aeroporti fillon transporti i pasagjerëve dhe i postës duke përdorur dy ose tre aeroplanë të lehtë me tre vende secili. Në vitin 1932 pas shfuqizimit të marrëveshjes me gjermanët, koncesioni për shërbimin ajror civil i jepet shoqërisë italiane “Ala-Littoria” me të cilën qeveria mbretërore shqiptare lidh kontratë për ruajtjen e ekskluzivitetit të këtij shërbimi. Është pikërisht kjo, periudha kur nis edhe ndërtimi i aeroportit të Gjirokastrës. Në vitet ‘30-‘40 ky aeroport ka një funksion të dyfishtë, atë civil e ushtarak. Rreth 30 aeroplanë transporti, bombardues, civilë etj., u vendosën përgjatë kësaj piste në vitet e luftës.

Linjat kryesore të kësaj periudhe me stacion kryesor aeroportin e Gjirokastrës ishin Tiranë-Vlorë-Gjirokastër dhe Tiranë-Korçë-Gjirokastër-Tiranë. Me Italinë funksiononte linja Gjirokastër- Brindisi. Ky lloj transporti zgjati deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Me përfshirjen e Shqipërisë në kampin socialist, shërbimi civil ajror ne Gjirokastër u ndërpre për të mos u riaktivizuar kurrë më edhe pse do t’i kishte shërbyer zhvillimit social dhe ekonomik të vendit. Në vitet ’90 u rikthye për pak kohë në gjendje pune, por sërish aeroporti nuk e mori më kurrë lavdine e dikurshme të shërbimit që ofroi në vitet ’30-’40-të.

Përherë e më shumë në Gjirokastër po lobohet për rikthimin në funksion të aeroportit, por ndërsa flitej e lobohej me forcë për riaktivizimin e tij, vite më parë qeveria shqiptare bëri betonizimin e këtij aeroporti duke bërë të pamundur uljen e avionëve në këtë pistë, kjo pas akuzave të opozitës se infrastruktura e ushtrisë po përdorej për trafik të lëndëve narkotike. Tashmë aeroporti i Gjirokastrës ekziston vetëm fizikisht.

Bërja publike e planit të qeverisë për ndërtimin e dy aeroporteve të tjera në jug të vendit zgjoi shpresat e lodhura por jo të humbura të gjirokastritëve, por ëndrra qe jetëshkurtër kur u mësua se asnjëri nga dy aeroportet nuk ishte planifikuar të ngrihej në Gjirokastër edhe pse baza e aviacionit civil është themeluar 80 vite më parë në këtë qytet.
Megjithatë kjo nuk i ka penguar specialistët të hartojnë projekte të mundshme për riaktivizimin e tij pasi shanset ekzistojnë.

Në vitin 2010 përfaqësues të kompanisë italiane të Rotor Service shprehën interesin e tyre në riaktivizimin e aeroportit të Gjirokastrës për fluturimet ‘Charter’ edhe të brendshme nga ky aeroport, si edhe hapjen e një shkolle aeronautike, ndersa pikërisht në këtë aeroprt është ulur edhe helikopteri me të cilin fluturonte Romano Prodi. Projektet dhe idetë ngelën pezull dhe ende sot nuk është bërë diçka konkrete, ndërsa Gjirokastra duket gjithnjë e më pak e përfolur nga qeveria si një destinacion i mundshëm për ndërtimin e një aeroporti në jug të vendit,që tashmë dihet se do të ndërtohet në Vlorë.

Studiues, përfaqësues të pushtetit vendor dhe shoqërisë civile, e konsiderojnë ndërtimin e aeroportit në Gjirokastër tepër të domosdoshëm, bazuar edhe në sugjerimet konkrete të specialistëve vendas e të huaj sipas të cilëve ky aeroport i plotëson të gjithë elementët teknikë për t’u kthyer në një aeroport rajonal ndërkombëtar. I ndodhur në trekëndëshin Gjirokastër – Berat – Butrint, investimi për ndërtimin e tij do të përkthehej në zhvillim ekonomik të zonës. Mjafton të kujtojmë faktin se distanca me aeroportin e Igumenicës në Greqi është shumë e shkurtër çka do të sillte një lëvizje të madhe të qytetarëve, duke eliminuar udhëtimin e gjatë drejt pikës së Kakavijës, Tre Urave në Përmet dhe Sopikut.

Përgatiti: E.B.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë