Kapsula e Space X, Crew Dragon, e para që krijohet prej kësaj kompanie për të transportuar njerëz, u lëshua me sukses nga qendra hapësinore “Kennedy” e Floridës.
Misioni është pa ekuipazh këtë radhë, por nëse çdo gjë shkon mirë, agjensia amerikane e hapësirës ka gjasë ta aprovojë sistemin për t’u përdorur rregullisht nga astronautët brenda këtij viti.
Për themeluesin e Space X, Elon Musk, ky mund të jetë hapi i parë drejt dërgimit të klientëve tregtarë në hapësirë:
“Ishte shumë stresuese, por deri tani ka ecur mjaft mirë. Duhet ta bashkojmë me stacionin, e pastaj të kthehemi, megjithatë po funksionon për bukuri”.
Që prej tërheqjes së shatëllave në vitin 2011 nuk ka pasur më mjete amerikane për të dërguar njerëz në orbitë. Ndërkohë, viti i kaluar ishte mjaft intensiv për udhëtimet dhe eksplorimin në hapësirë. NASA dërgoi një sondë kërkimore në Mars dhe Kina lëshoi një mjet hapësinor në anën e errët të Hënës. Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës shënoi 20-vjetorin, SpaceX theu rekordin e vet për numrin e fluturimeve në hapësirë dhe shkencëtarët gjetën ujë në një asteroid të largët.
Kompania e Elon Musk synon ta bëjë udhëtimin në hapësirë më të përballueshëm dhe ai nuk është aspak i lirë: kostoja llogaritet tek gati 200 mijë dollarët për fluturim, kur udhëtimi për pasagjerët në kozmos të bëhet realitet.