Champions League ka prerë sonte 3 bileta për në fazën në grupe. Rikthehet AEK i Athinës në këtë fazë të rëndësishme, duke mbajtur flamurin lart të grekëve në kompeticionin madhor për klube.
AEK kishte fituar 2-1 ndaj kampionëve hungarezë të MOL Vidi në transfertë, ndërsa në Athinë sonte ka barazuar 1-1. Golat janë shënuar në pjesën e dytë, ndërsa grekët kanë vuajtur në 10 minuta e fundit pasi kanë mbetur me 10 lojtarë.
Nuk mund të mungonte në fazën e grupeve një emër i madh si Ajax Amsterdam. Holandezët patën fituar takimin e parë në shtëpi 3-1 ndaj ukrainasve të Dinamo Kiev. Në kthim ndeshja përfundoi 0-0.
Për habi, largohet Dinamo e Zagrebit. Kampionët e Kroacisë kishin barazuar 1-1 ndeshjen e parë në Zvicër ndaj Young Boys dhe ndeshja e kthimit shihej si shans i mirë për të kaluar fazën “play-off”, por helvetët fituan 2-1 në Zagreb dhe u kualifikuan.
Nesër do të luhen 3 ndeshjet e fundit të fazës “play-off”, ndërsa të enjten do të hidhet shorti i fazës së grupeve, ku do të ketë edhe shpëndarje të cmimeve, duke filluar nga goli më i bukur, formacioni më i mirë e deri te trajneri më i mirë.