MENU
klinika

Dueli i rivalëve të Superiores

Dhuna prish startin, Skënderbeu e nis mbarë

17.08.2018 - 22:01

Ka startuar kampionati i 80-të Kombëtar i Futbollit Shqiptar. Shorti në javën e parë kishte vënë përballë dy rivalë, Skënderbeun dhe Partizanin, duke e mbyllur sfidën 1-0 në Korçë.

Pas ceremonisë hapëse, të dyja skuadrat zbritën në fushë si pretendente të këtij sezoni, me Skënderbeun si kampionin në fuqi, por me shumë ndryshime në përbërje dhe në staf, ndërsa nga ana tjetër Partizani, që do të tentojë edhe njëherë tjetër të duelojë për titullin.

Pjesa e parë ka qenë me ritëm jo shumë të kënaqshëm, me skuadrat që kanë studiuar më shumë njëra-tjetrën, teksa kanë munguar gjuajtjet në portë dhe rastet për shënim.

skenderbeu dhe partizani
Skënderbeu dhe Partizani para startit

Pjesa e dytë ka pasur më shumë ritëm, është dueluar fort për topin e parë, me Skënderbeun që ka qarkulluar më shumë topin, ka krijuar edhe disa raste, por pa arritur dot të shënojë.

Nga ana tjetër, Partizani ka funksionuar vetëm në dy raste me kundërsulm, megjithatë, edhe të kuqtë nuk kanë shënuar dot. Në fundin e ndeshjes, madje në kohën shtesë, Skënderbeu përfiton penallti dhe është Muzaka që e kthen në gol.

Ndeshja nuk ka kaluar pa probleme. FSHF, në bashkëpunim me policinë, vendosën që në stadium të mos jenë të pranishme forcat e policisë. E ky vendim u vu në fuqi që në ndeshjen e parë hapëse të Superiores mes Skënderbeut dhe Partizanit.

Në minutën e 72′ të ndeshjes, tifozëria e Partizanit dhe ajo e Skënderbeut zbritën në fushë dhe filloi sherri masiv, pa forcat policore për të ndërhyrë. Pati të gjakosur dhe shumë sende të forta u hodhën në drejtim të tifozërisë kundërshtare.

Skënbderbeu-Partizani në Korcë

Tifozët e të dy palëve kanë shkatërruar tribunat dhe vonesa e forcave të rendit ka sjellë plagosjen e disa tifozëve nga të dyja palët, ndërsa vetëm pas hyrjes të policisë, tifozëritë janë ndarë.

Sipas informacioneve të para, tre persona kanë përfunduar të plagosur me sende të forta dhe pas largimit të ambulancës u desh që të afroheshin stafet mjekësore të dyja skuadrave për të dhënë ndihmën e parë.

Skënderbeu – Partizani 1-0

Shënues: Muzaka 90’ + 2’

Skënderbeu: Teqja, Radas, Aliti, Abazi, Vangjeli, Dita, Demte (83′ Lulaj), Muzaka, Bregu, Krasniqi (88′ Oto Xhon), Gripshi (76′ Ajzeraj). Trajner: O. Shehi.

Partizani: Hoxha, Belica, Atanda, Trashi, Ibrahimi, Telushi, Hila, Mala, Asani (56′ Mensah), Progni (56′ Bardhi), Hebaj. Trajner: S. Gega.

Kartonë të verdhë: Demte, Bregu, Ajzeraj / Progni, Asani, Atanda, Hila. Hoxha

Gjyqtar: E. Hamiti