MENU
klinika

G. G. MARKEZ – “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”

13.08.2018 - 20:58

Një nga novelat më të spikatura të shkrimtarit të famshëm Gabriel Garsia Markez, laureuar me çmimin Nobel në vitin 1982. Me penën dhe stilin e tij të veçantë, nobelisti ndërthur bukur çudinë me misterin, misterin e romancës me atë të vrasjes. Novela përshkohet nga tema e fatalitetit, si një emanacion konkret, çliruar përtej konceptit. Ndjenja e së pashmangshmes dhe e pasioneve mbetet.
Ngjarjet fillojnë me një dasmë madhështore, më pas kthimi i nuses në shtëpinë e prindërve po atë natë, rutina e përditshme e qytetarëve, si dhe hakmarrja e llahtarshme e vëllezërve Vikario, të cilët e kishin paralajmëruar vrasjen… Gjithsesi, atë mëngjes, Santiago Nasari u ther mizorisht tek dera e shtëpisë së tij. Përse nuk u shmang vallë krimi? Disa qëndruan mospërfillës, duke kujtuar se ishin vetëm mburrje pijanecësh, të tjerët u orvatën të veprojnë, por ndërthurja komplekse e vështirësive dhe të papriturave, shpesh mrekullisht burleske, si dhe naiviteti dhe ndjenjat kontradiktore të banorëve të një vendi të izoluar, lejuan, madje e bënë më të thjeshtë vullnetin e verbër të fatit. Mbi fytyrën e Santiago Nasarit ishte epuar imazhi ngërdheshës i vdekjes.