Hasan Lika është trajneri i ri i skuadrës së Vllaznisë në futboll, lajm që është konfirmuar nga klubi shkodran përmes një deklaratë për shtyp në rrjetet sociale.
Në garë për postin e trajnerit të Vllaznisë ishin 5 kandidatura, ku përveç Likës garonin edhe Baldo Ranieri, Dervish Haxhiosmanovic, Edi Martini dhe Ergin Firat.
Edhe pse të gjithë kandidatët ishin të fortë, klubi shkodran ka vendosur t’i besojë skuadrën trajnerit Hasan Lika, bazuar edhe në përvojën që ky i fundit ka në futbollin shqiptar.
Vllaznia sezonin e ardhshëm sportiv 2018-2019 do të luajë në Kategorinë e Parë, ndaj për Hasan Likën nis detyra e vështirë të ngjitjes së ekipit shkodran në Superligë, një mision i vështirë por jo i pamundur, duke parë emrin e madh që ka skuadra.
Sipas klubit shkodran, zgjedhja e Likës ka ardhur pasi ai ka plotësuar disa kritere të vendosua që më parë, si formimi e arritjet profesionale.
Ndërkohë, klubi shkodran konfirmon edhe se në postin e drejtorit sportiv do të jetë Ergin Firat.
Edhe për këtë post ka patur konkurrencë të fortë, pasi ai ka garuar së bashku me Agin Canaj dhe Alban Nezirin, por përvoja e tij në disa ekipe të huaja ka bërë që Firat të marrë postin e drejtorit sportiv.