Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka dhënë një mesazh për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se duan një marrëveshje që sjell siguri për të gjithë qytetarët kosovarë, dhe jo një të tillë që më shumë do të sillte probleme se sa t’i zgjidhte ato.
“Jam i kënaqur që kaq shumë qytetarë kosovarë tani po marrin pjesë në biseda të rëndësishme rreth dialogut me Serbinë. Kjo është një gjë e mirë. Sidoqoftë, dua që t’i qartësoj disa gjëra”, thotë Delawie në mesazhin e publikuar në ueb-faqen e ambasadës amerikane.
“Ne besojmë që substanca e marrëveshjes Kosovë-Serbi duhet të vjen nga vetë palët. Por se çfarë do të pranojmë, ka kufij. Ne jemi të përkushtuar ndaj Kosovës; jemi të përkushtuar ndaj sovranitetit të saj, si dhe suksesit të saj ekonomik. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për rolin historik që SHBA-ja e ka pasur në dhënien fund të konfliktit në Ballkan në përgjithësi, dhe në veçanti në Kosovë.
Nuk duam që t’u kthehemi ditëve të vjetra; nuk duam ta shohim një marrëveshje që më shumë do të sjellë probleme se sa që t’i zgjidhë ato. Duam të ndihmojmë në arritjen e një marrëveshjeje që është e zbatueshme, e qëndrueshme, dhe që kontribuon në stabilitetin e rajonit. Secila marrëveshje duhet të sjellë siguri për të gjithë qytetarët, përfshirë grupet e cenueshme, Serbët e Kosovës dhe Kishën Ortodokse Serbe”.
Sipas Delawie-t, kohëve të fundit janë shfaqur retorika që nuk ndihmojnë gjë, por që rikthejnë kujtimet e kohës së komunizmit, ndërkaq siguroi qytetarët e Kosovës se Amerika do ta vazhdojë përkrahjen për vendin.
“Ka pasur një retorikë të padobishme këto javët e fundit, përfshirë kërcënime dhe lloj të gjuhës që e kemi dëgjuar në ditët e fundit të Komunizmit. Kjo duhet të marrë fund. Deklarata të tilla minojnë shanset për një zgjidhje dhe ngritin tensione. Dhuna dhe kërcënimet për dhunë janë të papranueshme.
Do të jemi me ju përgjatë këtij rrugëtimi. Në javët në vijim, dua që t’ju prezantoj me disa nga diplomatët që kanë arritur së fundi në Ambasadë, që i janë bashkuar ekipit tonë për t’u siguruar që partneriteti ynë me Kosovën mbetet i fuqishëm”./Klan Kosova