MENU
klinika

Ndryshimi i formatit

Kupa Davis, tani quajeni Botërori i Tenisit

17.08.2018 - 22:49

Kompeticione të ndryshme madhore, për hir të marketingut dhe sponsorëve nga viti në vit po ndryshojnë, madje edhe formatin, për të tërhequr sa më shumë tifozë dhe shikues.

Kupa Davis, aktiviteti i skuadrave për meshkuj më i hershëm në tenis, do të ndryshojë format dhe nga viti 2019 do të hyjë në fuqi sistemi i ri i quajtur “Finals”.

Sipas Federatës Ndërkombëtare të Tenisit, në këtë turne do të marrin pjesë 144 Federatat e regjistruara dhe në fund, faza finale, do të zhvillohet brenda një jave, ku do të marrin pjesë 18 kombëtaret më të mira.

Do të jetë një “Botëror” i tenisit, ku 18 kombëtaret e kualifikuara do të ndahen në 6 grupe me nga 3 skuadra secila.

Edicioni i parë i “Finales” do të zhvillohet në Lillë, në Francë, në stadiumin “Pierre Mauroy”, që ka mirëpritur edhe finalet e edicioneve 2014 e 2017.

Çdo ndeshje mes kombëtareve (vazhdon formati me përballje në lojën teke dhe dyshe) do të vendoset siç dhe ka qenë, ku fiton ekipi që fiton 3 nga 5 përballjet e planifikuara.

Tashmë pritet që ky format i ri të miratohet edhe nga Këshilli i ITF-së, në asamblenë e javës së ardhshme dhe do të hyjë në fuqi nga viti 2019.