Për sulmin me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala, ka reaguar së fundi edhe OSBE. Në një postim në facebook të OSBE dënohet me forcë sulmi ndaj gazetares Lala, ndërsa nxiten autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës.
Postimi i Plotë:
Dënojmë me forcë sulmin e sotëm kundër gazetares Klodiana Lala dhe i nxitim autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë.
Më herët, gazetarja Klodiana Lala ka reaguar pas sulmit në banesën e prindërve të saj, ndodhur mëngjesin e sotëm. Në një postim në facebook, Lala shkruan se ajo e familja e saj janë të tronditur, ndërsa thotë se nuk kanë asnjë konflikt personal me askënd.
“Te dashur miq!
Po ju flas në emrin tim dhe të familjarëve të mi. Jemi mirë, asnjëri prej nesh nuk është lënduar. Megjithatë, jemi të tronditur nga ngjarja. Duke i lënë institucionet të bëjnë punën e tyre, ju siguroj se unë dhe familjarët e mi, nuk kemi asnjë konflikt personal.
Dyshoj se sulmi vjen si rezultat i punës time si gazetare. Këtë profesion e kam ushtruar me ndershmëri e profesionalizëm ndër vite, e do vazhdoj këtë detyrë me të njëjtin përkushtim, pavarësisht gjithckaje.
Falenderim Ministrit të Brendshëm dhe Policisë së Shtetit që u angazhuan maksimalisht për zbardhjen e ngjarjes.
Ju jam mirënjohës secilit prej jush që po më gjendet pranë në këto momente. ” shkruan gazetarja Klodiana Lala në postimin e saj.