MENU
klinika

Kuqezinjtë në lëvizje

Plot 10 futbollistë të Kombëtares janë në merkato…

03.08.2018 - 17:19

Pothuajse një formacion i Kombëtares shqiptare e sheh veten në merkato. Janë të paktën dhjetë futbollistë, që kërkojnë skuadër të re, ose po mendojnë të ndryshojnë ambientin.

Duke nisur nga porta, ku pas eksperiencës me Laçin në Europa League, Gentian Selmani po pret një ofertë të përshtatshme nga ligat jashtë vendit.

Në mbrojtje mbeten problematike situatat me thuajse të gjithë repartin. Mërgim Mavraj është pa kontratë pas largimit nga Hamburg, ndërsa emri më i fundit në skenë që interesohet për mbrojtësin 32-vjeçar është Hannover.

Në qendër të mbrojtjes dilema ka edhe për të ardhmen e Arlind Ajetit që është jashtë planeve të Torinos, por edhe për Berat Gjimshitin, i cili u rikthye tek Atalanta, por pritet të largohet, me Sassuolon që i’u shtua listës së pretendentëve.

Në krahun e majtë mbetet problematike çështja e Naser Alijit, që vazhdon të jetë pa skuadër. Nëse situata vazhdon e tillë, një tjetër pauzë e gjatë pa ekip, pas asaj që ndodhi në largimin nga Kaiserslautern te Virtus Entella, mund të ndikojë negativisht për karrierën e 24-vjeçarit.

Në mesfushë janë situatat e Astrit Ajdareviç, i lënë jashtë skuadrës nga trajneri i AEK-ut, me mesfushorin që duhet të gjejë një tjetër ekip për të vazhduar karrierën.

Në kërkim të një klubi është edhe Keidi Bare pas përfundimit të kontratës me Atletico Madrid, me talentin fierak që pritet të shqyrtojë alternativat.

Ndërkohë, Valon Ahmedi synon të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierë, për t’u larguar nga Maribori në Slloveni drejt një lige më të fort europiane.

Në sulmin e kuqezinjve që janë në merkato ndodhen dy prej yjeve shqiptarë të këtij reparti. Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi. Sadiku vijon përgatitjet me Levanten, megjithatë sinjalet nga ligat e tjera nuk kanë munguar, me ekipet turke që duken në “pole”.

Në Turqi, Sokol Cikalleshi është në pritje të një oferte të mirë, për t’u larguar nga Osmanlıspori që në këtë sezon do të militojë në ligën e dytë.