Braziliani Ronaldo rikthehet protagonist në botën e futbollit, por këtë herë si president i skuadrës spanjolle të Valladolid, skuadër që luan në La Liga.
Ish-sulmuesi brazilian do të bëhet së shpejti pronar dhe president i këtij ekipi të njohur spanjoll, lajm që e konfirmon edhe e përditshmja spanjolle “Marca”.
Sipas kësaj të fundit, ish-sulmuesi i Real Madrid dhe Inter është duke blerë klubin për vlerën e 30 milionë eurove dhe pasi të hedhë firmën, do të marrë edhe presidencën.
Presidenti aktual i Valladolid, Carlos Suarez, do të qëndrojë në detyrën e administratorit të deleguar. Bisedimet për të blerë skuadrën spanjolle kanë nisur muaj më parë dhe për një moment u duk se bisedimet ishin mbyllur, por në këtë tyransferim të kuotave hyri edhe biznesmeni meksikan Ernesto Tinajero.
Kjo lehtësoi transferimin e pronësisë, si dhe vazhdimin e bisedimeve, ndaj tani Ronaldo do të rikthehet në futbollin spanjoll si drejtues. Mbetet për t’u parë a do të jetë aq i suksesshëm sa kur luante në fushë…