MENU
klinika

Premier League, Java II

Salah merr penallti, Liverpool fiton jashtë

20.08.2018 - 23:01

Liverpool nuk ka shkëlqyer si në ndeshjen e parë, por e rëndësishme është se ka marrë 3 pikë në transfertë të vështirë si ajo ndaj Crystal Palace, duke fituar 2-0 dhe duke mbajtur ritmin në krye me ekipet e tjera pretendente.

Goli që ka zhbllokuar ndeshjen ka ardhur në minutën e 45-të të pjesës së parë dhe është shënuar nga James Milner, i cili ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë penalltinë e fituar nga Salah.

Ka qenë një penallti historike për mesfushorin anglez, i cili është bërë lojtari i parë në historinë e Premier League që shënon tetë gola të njëpasnjëshëm nga pika e bardhë.

Ndeshja është mbyllur përfundimisht për Palace në minutën e 75-të, kur Wan-Bissaka është ndëshkuar me karton të kuq dhe ka lënë me 10 vetë ekipin e tij.

Edhe ky ka qenë një moment historik, duke parë se Bissaka, 20 vjeç e 267 ditë, është bërë lojtari më i ri në historinë e Palace që ndëshkohet me karton të kuq në një ndeshje të kampionatit anglez.

Në minutën e 93-të ka ardhur edhe goli i mrekullueshëm i Mane, që ka ndihmuar Liverpool të ngjitet në vendin e dytë mbrapa Manchester City-it, që ka një diferencë më të mirë golash.