MENU

Administratori i Flamurtarit

Sinan Idrizi: Jo bojkot garës, të forcohet ligji!

29.08.2018 - 18:23

Dy ditët e fundit, Safet Gjici dhe Ardjan Takaj, përkatësisht presidenti i Kukësit dhe i Skënderbeut, kërcënuan me bojkot të Kategorisë Superiore në rast se Policia e Shtetit nuk rikthehet në stadiume.

Por ndryshe nga dy kolegët e tij, administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, mendon se çështja e sigurisë në stadiume nuk mund të zgjidhet me anë të bojkotimit të kampionatit.

“Policia nëpër stadiume nuk është një akt civil, nuk është akt qytetar. Për mua nuk është një vendim i parakohshëm, është një vendim që duhet mbështetur. Thjesht duhet të diskutohen detajet e tjera që rrjedhin pas këtij vendimi.

idrizi dhe hasanbelliu
idrizi dhe hasanbelliu

Nga njëra anë duhet të forcojmë ligjin dhe, nga ana tjetër, duhet që stadiumet tona të bëhen civile. Është shumë e thjeshtë: nuk mbahet çdo gjë në Shqipëri me uniformën e policit.

Ka një problem të madh, që klubet shqiptare nuk janë të përgatitura financiarisht të përballojnë këtë situatë. Nëse sot nxjerrim si parësore bojkotimin e kampionatit për shkak të elementëve të largimit të policisë nga stadiumet, më duket si gjëja e fundit që të mendojmë për të bërë.

Ejani të dialogojmë, por jo të bojkotojmë! Një qytetërim si anglosaksonët, që janë kohë përpara nesh, e shtrënguan stadiumin nëpërmjet ligjit, jo nëpërmjet policisë.

Vendosni kamerat nëpër stadiume, identifikoni njerëzit që janë problematikë dhe çdo gjë mbyllet thjesht, sepse bojkoti është një fjalë shumë e rëndë”, – ka thënë administratori Idrizi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Flet presidenti i Skënderbeut

Takaj si Gjici: Riktheni policët në stadiume!