Menu

"Është ngritur grup i posaçëm hetimor"

Sulmi ndaj gazetares/ Reagon Policia dhe Prokuroria

31.08.2018

Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë dalë sot me deklaratë të përbashkët lidhur me sulmin e paprecedentë të ndodhur mëngjesin e të enjtes në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala.

Këto dy institucione bëjnë me dije se është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në reagim thuhet:

lidhje me veprimet e kryera për ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 30 Gusht 2018, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala, informojmë se:

Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.

Në lidhje me këtë ngjarje, menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor me ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nga ana e grupit hetimor janë kryer veprimet procedurale në vendin e ngjarjes si dhe janë kryer një sërë veprimesh me metoda speciale të hetimit për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor po vijon me intensitet maksimal veprimet hetimore dhe procedural, por për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN