Lista zyrtare nuk është publikuar ende, por lojtari i talentuar i Anderlecht, Kristal Abazaj, nuk do të jetë pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e radhës me Izraelin dhe Skocinë, të vlefshme për Ligën e Kombeve.
Sipas “Gazeta Si”, vetë futbollisti, i cili është shprehur se në klubin e tij nuk ka shkuar ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. “Jo, nuk kam marrë ftesë nga Kombëtarja”, – ka thënë fillimisht Abazaj, duke e shprehur qartë habinë për vendimin e trajnerit Christian Panucci.
Ish-lojtari i Luftëtarit kaloi te skuadra e madhe belge në verë, por një dëmtim ka ndikuar që ai të mos luajë në ndeshjet e para të kampionatit. Ndoshta kjo është arsyeja që trajneri italian ka vendosur të mos e grumbullojë Abazajn për dy ndeshjet e shtatorit.
“Minutat nuk janë justifikim. E vetmja gjë që mund të them në këtë moment është se dua t’i uroj suksese Kombëtares në dy ndeshjet e radhës me Izraelin dhe Skocinë”, – ka deklaruar për gazetën në fjalë sulmuesi i krahut të djathtë, duke mos dashur të polemizojë.