UEFA ka shpallur 3 kandidatët për çmimin “Futbollisti më i mirë i sezonit”. Luka Modric, Cristiano Ronaldo dhe Mohamed Salah janë nominuar nga UEFA si tre kandidatët për këtë çmim, që do të jepet më 30 gusht në Montecarlo gjatë një ceremonie gala.
Luka Modric fitoi Champions League për herë të tretë radhazi si pjesë e Real Madrid, ndërsa në Kupën e Botës 2018 ishte kapiteni i Kroacisë që shkoi deri në finale. Ai u shpall futbollisti më i mirë në “Rusi 2018”.
Cristiano Ronaldo fitoi Champions për herë të pestë në karrierë dhe për herë të gjashtë u shpall golashënuesi më i mirë në këtë veprimtari. Gjatë verës, ai u transferua nga Real Madrid te Juventus për 105 milionë euro.
Mohamed Salah, finalist i Champions League dhe golashënuesi më i mirë i Premier League me Liverpool, është kandidati i tretë potencial, por shihet nga opinionistët me më pak gjasë për ta fituar çmimin.
Plot 80 trajnerë në fazën me grupe të Champions League dhe Europa League, krahas 55 gazetarëve, ishin ata që votuan për këtë çmim.
Kandidatët për çmimet e tjera
Portieri i sezonit: Alisson Becker, Gianluigi Buffon, Keylor Navas
Mbrojtësi i sezonit: Marcelo, Sergio Ramos, Raphaël Varane
Mesfushori i sezonit: Kevin De Bruyne, Toni Kroos, Luka Modrić
Sulmuesi i sezonit: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Mohamed Salah
Më i miri në Europa League: Diego Godín, Antoine Griezmann, Dimitri Payet