Numri i bizneseve të huaja në Shqipëri u rrit gjatë vitit të kaluar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj arriti në rreth 6300, në rritje me afro 12% krahasuar me vitin 2016. Tre në katër ndërmarrjeve të huaja kanë përmasa të vogla, me më pak se katër individë të punësuar. Vetëm afërsisht 330 biznese me kapital të huaj deklarojnë më shumë se 50 të punësuar.
Për nga origjina e kapitalit, prania e ndërmarrjeve të huaja në ekonominë shqiptare dominohet nga sipërmarrja italiane. Për vitin 2017, ndërmarrjet me pjesëmarrjen e aksionerëve italianë ishin 2887 ose 46% e totalit. Italia ka një diferencë të thellë në raport me sipërmarrjet e vendeve të tjera, ku e dyta vjen Greqia me 8%, e më tej Kosova dhe Turqia me afërsisht 7%. Më gjerësisht, bizneset e huaja në Shqipëri në shumicë i takojnë vendeve të Bashkimit Europian, me 67% të numrit total të tyre. Megjithatë, krahasuar me vitin 2016, vërehet një tendencë në rritje e numrit të bizneseve kosovare dhe maqedonase. Sipas Instat, janë gjithsej 478 sipërmarrje kosovare dhe 170 maqedonase që zhvillojnë aktivitet në Shqipëri.
Aktiviteti i bizneseve të huaja sipas sektorëve është i ngjashëm me strukturën e përgjithshme të sipërmarrjes në Shqipëri dhe shumica janë të angazhuara në sektorët e shërbimeve. Afro 74% e bizneseve të huaja punojnë në shërbime, ndërsa ato ndërmarrje që punojnë në prodhim kryesisht janë të angazhuara në industri dhe më pak në ndërtim apo bujqësi.