MENU
klinika

Panairi i Artizanëve

Artizanët e trevave takohen në Gjirokastër

15.09.2018 - 15:55

Gjirokastra ka qenë sërish epiqendër e shpërfaqjes së traditës së mirë të artizanëve dhe trashëgimisë kulturore. Një tjetër panair, i mbështetur edhe bashkia e qytetit, bëri bashkë artizanë të mbarë trojeve shqipfolëse nga Ulqini e Gjakova për të prezantuar traditën më të mirë të këtyre trevave.

“Për mua është hera e parë që vi në Gjirokastër. Nuk ka asgjë më të bukur kur tradita ofrohet me trashëgiminë” – thotë Saranda,artizane nga Gjakova që veç punimeve të saj sjell në Gjirokastër dhe emrin e qytetit bregdetar në jug të Shqipërisë.

“Punimet tona janë me rërë dhe guacka. Kemi sjellë një copëz të Vlorës” – tregon një tjetër artizan teksa shpalos në stendën e tij produktet e punuara me dorë. Elvisi, artizani i qytetit të Flamurit shtoi më tej se “interesi është i dukshëm dhe turistët e huaj kanë tërhequr disa punime gjatë këtij panairi”

“Kam mbi 15 vite që ushtroj këtë profesion dhe një punim mund të arrij ta përfundoj brenda një dite”

Peisazhe te ndryshme gjen në stendën e Elvisit, ndërsa kur e pyesim për çmimet ai thotë se variojnë nga 500 deri 2500 lekë, vlerë kjo më se e pranueshme për një punim origjinal. Ky ishte edicioni i 12-të i panairit të këtij lloji që tashmë është kthyer traditë për qytetin pjesë të trashëgimisë së UNESCO-s.

Përgatiti: E.B.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fest-Brum në Gjirokastër

Gatimet e brumit nga duart e amvisave