Borussia Dortmund ka marrë kryesimin e Bundesligës, pas përmbysjes spektakolare 4-2 që arriti sot në mbrëmje në fushën e Byer Leverkusen. Një ndeshje me dy pamje, më e mirë për vendasit në 45 minutat e para, që arrijnë të dominojnë në fushën e lojës dhe të shënojnë dy gola.
Por në pjesën e dytë vjen përmbysja e miqve nga Dortmundi, që “zgjohen” pas një starti të dobët, duke realizuar 4 gola dhe duke marrë kreun e kampionatit. Pjesa e parë ishte mjaft e mirë e skuadrës vendase, që ka kontrollin e lojës dhe arrin të kalojë në një avantazh të dyfishtë pas golave të Mitchell Weiser në minutën e 9-të dhe të Jonathan Tah në minutën e 39-të.
Por skuadrës së Borussia i mjaftuan 4 minuta në pjesën e dytë për të vendosur ekuilibrin, me Jacob Larsen që realizon golin e parë në minutën e 65-të, ndërsa Marco Reus barazon shifrat në 2-2 pas katër minutash.
Por përmbysja e miqve kompletohet 5 minuta nga fundi, me Pablo Alcacer që realizon një supergol, duke i dhënë fitoren skuadrës së Borussia, që në javën e gjashtë merr edhe kreun e renditjes në Bundesliga.
Alcacer shënon edhe golin e 4-t nëminutat shtesë, duke vulosur fitoren dhe përmbysjen e miqve. Lëshon “fronin” skuadra e Bayern Mynih pas humbjes së djeshme, ndërkohë që Borussia përfitoi më së miri nga ky shans i artë, për të korur suksesin e katërt në kampionat (ka edhe dy barazime).