Kampionët në fuqi të Champions League, Real Madrid, do të nisin mbrojtjen e titullit pa Cristiano Ronaldo-n. Mbrëmjen e kësaj të mërkure (21:00), ata do të presin gjysmëfinalistët e sezonit të kaluar, Roma-n.
GRUPI G
“Los Blancos” janë edhe këtë vit pjesë e favoritëve për të fituar titullin dhe kanë humbur vetëm dy nga dhjetë ndeshjet e fundit që kanë luajtur në Europë (7 fitore, 1 barazim, 2 humbje), duke shënuar dy ose më shumë gola në tetë nga ato takime.
Madrilenët, siç mund të imagjinohet, janë shumë të fortë edhe në ndeshjet e luajtura në shtëpi, duke pësuar vetëm një humbje në 22 takimet e fundit të Champions League që kanë luajtur në “Santiago Bernabeu” (17 fitore, 4 barazime, 1 humbje).
Në 11 nga ato ndeshje, ata kanë shënuar tre ose më shumë gola dhe nuk kanë pësuar gol në 9 nga ato 22 takime. Roma, nga ana tjetër, do të paraqitet në këtë ndeshje pa asnjë fitore të marrë në tri ndeshjet e fundit të kampionatit (2 barazime, 1 humbje), por ka pësuar vetëm një humbje në 10 ndeshjet e fundit të kampionatit (6 fitore, 3 barazime, 1 humbje).
Në Champions, verdhekuqtë kanë marrë pesë fitore nga 10 ndeshjet e fundit (5 fitore, 1 barazim, 4 humbje), me një mesatare prej 3.7 golash të regjistruar në këto takime. Gjithsesi, ecuria e italianëve në ndeshjet e fundit të Champions League që kanë luajtur në transfertë nuk ka qenë shumë e mirë.
Roma, në fakt, ka humbur katër nga pesë takimet e fundit që ka luajtur larg shtëpisë (1 barazim, 4 humbje), duke pësuar 16 gola në ato humbje. Këto dy skuadra janë përballur dhjetë herë në Champions, me Real që ka dominuar me gjashtë fitore (6 fitore, 1 barazim, 3 humbje).
Statistika
– Real Madrid nuk ka arritur të shënojë në pjesën e parë në katër nga pesë takimeve të luajtura në shtëpi kundër Roma-s.
– Pesë nga dhjetë ndeshjet e fundit të Real Madrid në Champions League janë mbyllur me tre ose më shumë gola nga spanjollët.
– Herën e fundit që Real nuk ka arritur të shënojë një gol në Champions ka qenë kundër Barcelona-s në prill të 2011-ës.
– Në tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit të Champions që ka luajtur në transfertë, Roma ka pësuar dy ose më shumë gola.
Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo mes Plzen-CSKA Moskë. Të paktën sfida e parë duket e ekuilibruar, pa favoritë për ta fituar, me rusët që kanë më shumë eksperiencë në këtë veprimtari
GRUPI H
Një nga ndeshjet kryesore të javës së parë të Champions League do të jetë ajo që do të luhet në Spanjë mes Valencia-s dhe Juventus-it. Ky do të jetë takimi i parë europian për vendasit në tre vitet e fundit. Valencia e ka nisur sezonin me katër ndeshje pa fitore në kampionat (3 barazime, 1 humbje), por tani do të përballen me një sfidë plotësisht të ndryshme.
Ata do të përballen me kampionët në fuqi të Italisë për herë të parë që nga 2009-a dhe duhet të frymëzohen nga forma e mirë e treguar në ndeshjet e luajtura në shtëpi kampionatin e kaluar (13 fitore, 3 barazime, 3 humbje), gjatë të cilave kanë pësuar vetëm 13 gola (0.68 për ndeshje).
Gjithsesi, nuk do të jetë e lehtë të marrin një rezultat pozitiv kundër bardhezinjve, që janë kualifikuar nga faza me grupe në katër sezonet e fundit, edhe pse ecuria e tyre në ndeshjet e luajtura në transfertë (6 fitore, 2 barazime, 4 humbje) nuk ka qenë shumë e mirë.
Golat kanë qenë një problem në ndeshjet e fundit të luajtura nga Juventus, me vetëm katër nga 10 ndeshjet e tyre të fundit në Champions League që kanë sjellë më shumë se 2.5 gola për takim. Pavarësisht nga kjo, ekziston akoma një mundësi që të dy skuadrat të shënojnë duke parë se Juventus nuk ka pësuar gol në vetëm një nga katër ndeshjet e fundit të luajtura pas largimit të portierit legjendar, Gianluigi Buffon.
Statistika
– Shtatë ndeshjet e fundit të luajtura nga Juvent në transfertë, në të gjitha kompeticionet, kanë sjellë 3.57 gola për takim.
– Në katër ndeshjet e para të sezonit, Valencia ka marrë 11 kartonë të verdhë (2.75 për ndeshje).
– Ka kaluar pothuajse një vit që nga hera e fundit që Juventus ka humbur një ndeshje zyrtare në transfertë. Bardhezinjtë kanë një ecuri prej 16 fitoresh dhe 3 barazimesh në 19 transfertat e luajtura në të gjitha kompeticionet.
– Valencia nuk ka arritur të shënojë gol në tri ndeshjet e fundit që ka luajtur në Champions League.
– Janë shënuar mbi 2.5 gola për ndeshje në katër ndeshjet e fundit të Juventus-it.
– Valencia ka humbur 3 ndeshjet e fundit që ka luajtur në Champions.
– Më pak se 2.5 gola për ndeshje janë shënuar në 3 takimet e fundit të Valencia-s në Champions League.
Young Boys – Manchester United
Young Boys, kampionët e Zvicrës, do të bëjnë debutimin e tyre në fazën me grupe të Champions League pas gjashtë tentativave të dështuara. Shorti, gjithsesi, nuk ka qenë me fat për ata, duke parë se janë pjesë në të njëjtin grup me Juventus, Valencia dhe Manchester United, me këta të fundit që do të jenë kundërshtari i tyre i kësaj të mërkure.
Zviceranët e dominuan kampionatin e kaluar, të mbyllur 15 pikë para Basel-it, skuadra që mundi 1-0 United në Zvicër sezonin e kaluar të Champions League. Young Boys e ka nisur këtë sezon aty ku e la, duke marrë gjashtë fitore në gjashtë ndeshjet e para të kampionatit dhe duke siguruar një avantazh prej tetë pikësh në krye të renditjes.
Gjithsesi, skuadra e Bernës nuk ka patur të njëjtin sukses në kompeticionet europiane, duke fituar vetëm 3 nga 12 ndeshjet e fundit (3 fitore, 4 barazime, 5 humbje). Përballë tyre, këtë të mërkurë, do të jetë United, një skuadër që fitoi grupin në sezonin e kaluar të Champions-it, por që ka humbur dy ndeshjet e fundit të luajtura në Zvicër.
Pavarësisht nga kjo, ekipi i Jose Mourinho mbetet shumë i vështirë për t’u mundur, siç tregojnë 3 humbjet e vetme të pësuara në 20 takimet e fundit europiane (13 fitore, 4 barazime, 3 humbje). Pas humbjes së pësuar në transfertën e parë të këtij sezonit të Premier League, United ka fituar dy ndeshjet e fundit të luajtura larg shtëpisë dhe duket se po gjen formën e duhur.
Gjithashtu, United ka shënuar mesatarisht dy gola në fazën me grupe të sezonit të kaluar në Champions. E vetmja ndeshje që nuk kanë shënuar ka qenë ajo e luajtur dhe humbur në Zvicër kundër Basel-it.
GRUPI F
Manchester City do ta fillojë aventurën në Champions League me një ndeshje në shtëpi kundër Lyon, një skuadër që merr pjesë për herë të dytë në tri vitet e fundit në kompeticionin europian më të rëndësishëm për klube.
Gjatë dy sezoneve të fundit, City ka marrë 16 nga 18 pikë të mundshme në gjashtë ndeshjet që ka luajtur në fazën me grupe të Champions League dhe ka fituar dhjetë takime radhazi europiane të luajtura në shtëpi, në të cilat kanë shënuar të paktën një gol.
Lyon, të paktën në letër, nuk duhet të ketë asnjë shans për t’u larguar me pikë nga “Etihad”, por ecuria e tyre në ndeshjet e luajtura në transfertë kundër skuadrave me një koeficient më të lartë në fazën me grupe nuk është shumë e keqe. Në sezonin 2016/17 të Champions League, Lyon ka pësuar vetëm dy gola kundër skuadrave të tilla (1 barazim, 1 humbje).
Gjithashtu, humbja e fundit e pësuar nga francezët në transfertë kundër një ekipi me koeficient më të lartë ka qenë në tetor të 2015-ës.
Kjo do të jetë përballja e parë mes këtyre dy skuadrave, me City-in që i ka fituar dy ndeshjet e Champions-it që i ka luajtur në shtëpi kundër ekipeve franceze. Lyon, ndërkohë, është mundur nga kushërinjtë e “Citizens”, Manchester United, me vetëm një gol në dy vizitat e mëparshme të bëra në Manchester.
Statistikat
– Manchester City ka shënuar golin e parë në pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit.
– Duke përfshirë edhe ndeshjet e luajtura në International Champions Cup, gjashtë nga shtatë takimet e fundit të Lyon kanë sjellë nën 2.5 gola për ndeshje.
– City ka shënuar 2 ose më shumë gola në katër nga gjashtë ndeshjet e fundit të fazës me grupe që ka luajtur në shtëpi.
Në këtë grup do të luahet edhe sfida Shakhtar Donetsk-Hoffenheim, e para përballja e këtyre skuadrave në arenën ndërkombëtare, ku ukrainasit janë më “ekspertë”.
GRUPI E
Benfica do të ketë një detyrë shumë të vështirë në ndeshjen hapëse të këtij sezoni të Champions League, teksa portugezët do të presin në shtëpi skuadrën e Bayern Munich. Vendasit nuk kanë arritur të fitojnë kurrë ndaj bavarezëve, të cilët do ta nisin edhe këtë sezon të Champions-it si një nga skuadrat favorite për ta fituar kompeticionin.
Padyshim, Benfica do të kërkojë të harrojë paraqitjen e bërë sezonin e kaluar në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, ku kanë humbur të gjashtë ndeshjet, duke shënuar vetëm një gol dhe duke pësuar 14 të tillë. Gjithsesi, vendasit mund të frymëzohen nga forma e mirë e treguar në ndeshjet që kanë luajtur në shtëpi.
Ata janë të pamposhtur në katër ndeshjet e para të kampionatit (3 fitore, 1 barazim), me dhjetë gola të shënuar dhe vetëm tre të pësuar. Tifozët do të shpresojnë që kjo formë të vazhdojë edhe në Europë. Edhe pesë herë fituesit e Champions League, Bayern Munich, e kanë nisur Bundesliga-n po aq mirë, duke regjistruar tri fitore radhazi.
Pas triumfit të fundit në Champions, në 2013-ën, shumë tifozë e shikojnë suksesin në Europë si objektivin kryesor të sezonit. Bayern arriti deri në gjysmëfinale sezonin e kaluar, por u eliminuar nga Real Madrid me rezultatin e përgjithshëm 4-3. Ata janë eliminuar në gjysmëfinale në katër nga pesë sezonet e fundit të Champions-it.
Statistika
– Kampionët e Gjermanisë janë të pamposhtur në gjashtë ndeshjet të luajtura kundër Benfica-s në Champions League, me katër fitore, në të cilat Bayern ka shënuar të paktën tre gola për ndeshje, dhe dy barazime (të dy 0-0).
– Ecuria e përgjithshme e Benfica-s kundër skuadrave gjermane është: 10 fitore, 9 barazime, 11 humbje, me 40 gola të shënuar dhe 49 të pësuar.
– Bayern ka marrë 13 fitore, 8 barazime dhe 1 humbje në ndeshjet kundër skuadrave portugeze, duke shënuar 48 gola dhe duke pësuar – 14.
– Bayern ka qenë një nga skuadrat më rendimentin më konstant në vitet e fundit të Champions League. Që nga sezoni 2000/01, me përjashtim të tre sezoneve, ata kanë shkuar në çerekfinale (ose më larg) çdo vit dhe kanë fituar dy tituj.
Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo mes Ajax dhe AEK të Athinës. Grekët rikthehen në këtë veprimtari pas shumë kohësh dhe kërkojnë të lënë gjurmë. Por holandezët kanë historinë në anën e tyre.