MENU
klinika

Carabao Cup

City bën “ritualin”, eliminohet United

25.09.2018 - 23:28

Manchester City ka bërë detyrën ndaj ekipit të League One Oxford United teksa ka fituar me rezultatin 3-0 në Kassam Stadium. Guardiola kishte zgjedhur të linte pushim lojtarë si Aguero, Delph dhe Bernardo Silva, të cilët nuk kishin udhëtuar me ekipit, por ka lënë në stol edhe Sterling apo Gundogan.

Gjithsesi, formacioni titullar kishte shumë emra të mëdhenj si Silva, Mahrez apo Otamendi, që do të thotë se trajneri katalanas nuk donte nënvlerësonte kundërshtarin e kategorisë së tretë. Ishte Gabriel Jesus ai që zhbllokoi rezultatin për miqtë në minutën e 36’.

Sulmuesi i City shfrytëzon më së miri një krosim ne zonë dhe finalizon me gjakftohtësi. Pas pushimit ishte Mahrez që ka siguruar fitoren për Qytetarët. Mesa duket algjeriani po ambientohet me fanellën e kaltër dhe ka shënuar në të dytën ndeshje radhazi. Në fund të takimit kishte kohë edhe për talentin Phil Foden të shënonte në kohën shtesë. City kalon në raundin e katërt të Carabao Cup.

Vazhdon tatëpjeta për Manchester United. Skuadra e Mourinho-s është mposhtur befasisht nga Derby County i Championship që trajnohet nga legjenda e Chelsea-t, Frank Lampard. Një tjetër mbrëmje e turpshme për Djajtë e Mourinho-s, i cili tani duhet të japë llogari për paraqitjen jo të mirë të ekipit të tij. Ishin penalltitë ato që i dhanë fitoren Derby-t pasi 90 minutat përfunduan 2-2. Nxënësi Lampard eliminon ish-trajnerin e tij Jose Mourinho.

Gjithçka filloi mirë për United, Juan Mata kalon të tijtë në avantazh që në minutën e 3’ dhe u duk sikur ndeshja do të shkonte “vaj”. Por Derby nuk u dorëzua për asnjë moment dhe barazon rezultatin me golin fantastik të Wilson në minutën e 59’.

Pak minuta më pas portieri Romero bën një gafë trashanike duke kapur topin me dorë jashtë zonës dhe si pasojë duhet të largohet nga fusha me karton të kuq. United sulmon megjithëse me një lojtar më pak, por është kapur në kundërsulm në minutën e 85’ nga lojtarët e Derby-t dhe është Marriot ai që kalon miqtë në avantazh.

Në minutat e fundit United tenton të përmbysë rezultatin dhe ia del të barazojë me Fellaini në minutën e 4-t shtesë. Penalltitë vendosën fituesin, dhe fati ishte me Derby-n.