Ndryshon renditja e Serie A, edhe pse pa shumë ndikime për kreun e saj. Chievo ia doli të evitonte përjashtimin nga kampionati këtë verë, duke e zvarritur gjyqin ku akuzohej për manipulim bilancesh, por Federata Italiane e Futbollit nuk është ndalur dhe ka depozituar sërish kërkesë për dënimin e klubit veronez.
Bëhet fjalë për dhjetëra shkëmbime lojtarësh me vlera fiktive, të fryra artificialisht, duke bërë që të ndryshojnë totalisht bilancet e klubit, aq sa shihje vlerësime skandaloze, me lojtarë 16-17 vjeç të cilëve u vendosej çmim prej disa milionë eurosh, që më pas regjistroheshin në bilanc si arkëtime.
Sot Gjykata në Federatën Italiane ka vendosur: tri pikë penalizim për klubin veronez, që do të duhet ta shlyejë dënimin në kampionatin aktual. Gjithashtu, presidenti Luca Campedelli pezullohet për tre muaj.
Një lajm i shkëlqyer për Chievo-n, po të mendohet rreziku që i kanosej në verë, ndërsa ditët e fundit ishte kërkuar një penalizim prej 15 pikësh në renditje.
Në renditje Chievo mbetet në vendin e fundit, por tashmë me -2 pikë, sepse kishte 1 pikë pas 3 ndeshjeve të para të kampionatit.