MENU
klinika

La Liga, java 7

Derbi madrilen mbyllet pa fitues

29.09.2018 - 22:45

Një ndeshje shumë e luftuar në “Bernabeu”, por derbi i Madridit është mbyllur në barazim pa gola. Një rast i shpërdoruar nga të dy skuadrat madrilene, të cilat nuk kanë arritur të përfitojnë nga ndalesa e radhës e Barcelona-s në kampionat.

Katalanasit, në fakt, vazhdojnë të ruajnë kryesimin falë diferencës më të mirë të golave në krahasim me Real, pavarësisht se nuk kanë fituar asnjë nga 3 ndeshjet e fundit të kampionatit.

Ndeshja, ashtu siç pritej, ka qenë e luftuar dhe rasti i parë i takimit ka qenë për miqtë, me Courtois që ka bërë një pritje të mirë ndaj gjuajtjes të bërë nga Griezmann brenda zonës së rreptësisë në minutën e 18-të të takimit.

Në të 37-ën ka ardhur radha e Diego Costa-s për të shpërdoruar një mundësi, me topin që ka shkuar drejt portierit të Real Madrid. Ndërkohë, rasti i parë i rrezikshëm për vendasit ka ardhur në minutën e 66-të, me Asensio që ka gabuar një mundësi të artë i ndodhur vetëm për vetëm me portierin Oblak.

Një gabim i pafalshëm për fantazistin e Real, i cili ka luajtur sot ndeshjen e tij numër 100 me “Los Blancos” në të gjitha kompeticionet. Në minutën e 88-të, Lopetegui ka aktivizuar edhe talentin Vinicius Junior, i cili nuk kishte luajtur asnjë ndeshje zyrtare më parë me Real Madrid.

Gjithsesi, kjo lëvizje nuk ka dhënë asnjë rezultat, me derbin që është mbyllur në “paqe”. Një rezultat që e ka ndihmuar Atletico Madrid të mbetet i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit të luajtura në “Bernabeu”, duke barazuar rekordin e vendosur nga Valencia në vitet ’40.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN