MENU
klinika

Tendenca e re

Dossier/ Investimet që po vijnë nga Lindja

30.09.2018 - 11:04

Investimet e huaja në afërsisht tre dekada kanë ardhur kryesisht nga vendet fqinje apo nga investitorë strategjikë prej vendeve të Bashkimit Europian. Investimet jashtë kësaj harte kanë qenë më spontane dhe të lidhura kryesisht me projekte apo sektorë të veçantë. Por, vitet e fundit, harta e investitorëve të huaj ka sjellë risi interesante.

Në Shqipëri po investohen kapitale edhe nga sipërmarrës që mund t’i quajmë jo tipikë, nga vendet e ish-Bllokut Lindor. Në disa raste, këto investime kanë vlera të konsiderueshme. Në disa raste të tjera, investimet nuk kanë vlera shumë të mëdha, por vijnë në sektorë strategjikë, si shërbimet financiare.

Shembujt janë interesantë. Marka të rëndësishme, si “Kentucky Fried Chicken (KFC)” apo “Pay & Go” janë sjellë në Shqipëri nga një grup biznesi gjeorgjian. Estonezët e “IuteCredit” sollën për herë të parë filozofinë e kredive të shpejta, të dhëna në pak minuta, me afate të shpejta maturimi dhe me norma shumë të larta interesi. Investitorë të rinj nga Letonia dhe Rusia po hyjnë në tregun e mikrokredisë dhe qirasë financiare.

Investimet mund të mos jenë në shifra marramendëse, po ato tregojnë se Shqipëria dhe tregjet e tjerë të Ballkanit Perëndimor po bëhen destinacione joshëse për sipërmarrësit nga Lindja. Mund të jetë koicidencë, por ndoshta edhe një tendencë zhvendosjeje, sidomos kur flasim për tregjet e shërbimeve financiare.

Marka globale të sjella nga…Gjeorgjia

Pak njerëz e dinë që disa prej markave të njohura lokale dhe ndërkombëtare, si “KFC” apo “Pay & Go”, janë sjellë në Shqipëri nga investitorë gjeorgjianë. Të thuash me siguri të plotë kush janë investitorët është e vështirë dhe shoqëritë kontrolluese janë të regjistruara jashtë vendit. Për shembull, “Pay & Go” zotërohet nga “Untag Community Limited”, kompani e regjistruar në Angli, me aksioner të vetëm shtetasin gjeorgjian Dimitri Chikovani. Chikovani është kunati i një ish-politikani të rëndësishëm në Gjeorgji, David Kezerashvili, ish-ministër i Mbrojtjes në qeverinë Saakashvili.

Që nga nisja e aktivitetit në Shqipëri, grupi gjeorgjian ka investuar rreth 25 milionë euro në Shqipëri.

“Pasi patëm mundësi ta njihnim nga afër tregun, pastaj vendosëm ta forconim praninë tonë. Vendosëm të zgjeroheshim në projekte të tjera, për të cilat vumë re se kishte nevojë, siç ishin shërbimet e pagesave, apo edhe me zinxhiri i restoranteve “KFC”. Ky ishte një vendim strategjik i grupit, mbështetur në njohjen e potencialeve të tregut. Besoj se ky vendim ka dhënë rezultate shumë të mira deri më sot”, tregon George Khetsuriani, drejtor i përgjithshëm i kompanisë së pagesave “Pay & Go”.

Pothuajse në çdo kënd të kryeqytetit mund të shihen terminalet për pagesa automatike në cash me logon “Pay & Go”. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë thotë se ky grup biznesi ka një eksperiencë të konsiderueshme në Gjeorgji, ku punon në të njëjtët sektorë dhe aktivitete si në Shqipëri.

“Në veçanti për shërbimet financiare, jemi në partneritet me bankat kryesore atje. Shqipërinë e kemi parë si një treg me shumë interes, për shkak të potencialeve të mëdha të rritjes. Është një treg që ka nevojë për shërbime më të përmirësuara dhe më moderne dhe ne synojmë t’i ofrojmë këto shërbime. Deri tani, përvoja e biznesit në Shqipëri ka qenë shumë e mirë. Sigurisht, çdo kompani mund të përballet me probleme dhe sfida kur hyn në treg të ri, por përgjithësisht jemi ndjerë mirë dhe të mirëpritur në Shqipëri. Jemi të pozicionuar mirë dhe jemi të kënaqur me sa kemi arritur deri tani,” thotë z.Khetsuriani.

Ai tregon se objektivi me “Pay & Go” ka qenë të ndërtojë një platformë sa më gjithëpërfshirëse pagesash, ku klienti të gjejë lehtësi përdorimi dhe fleksibilitet.

“Pay & Go” po teston ofrimin e shërbimeve më të zgjeruara të pagesave; veç pagesave cash, përmes kësaj kompanie mund të kryhen edhe pagesa në distancë, përmes kompjuterit personal ose telefonit celular. Pra, operatori po zgjerohet nga pagesat automatike cash tek pagesat elektronike. Sipas z.Khetsuriani, teknologjia e përdorur deri tani është një lloj ure mes pagesave cash dhe atyre në distancë, përmes zgjidhjeve të avancuara teknologjike.

“Për stadin e zhvillimit të Shqipërisë, njerëzit kanë nevojë të vazhdojnë ta përdorin paranë cash, por njëkohësisht të mësohen me teknologjinë dhe kjo është ajo që ne kemi mundësuar deri tani. Pas kësaj, ata e kanë më të thjeshtë për të kaluar edhe në shërbime të pagesave jo cash. Filozofia e biznesit të pagesave është që të funksionosh si një lloj one stop shop, ku klienti të gjejë të gjitha shërbimet,” thotë z.Khetsuriani.

Nëse është e zakonshme për sipërmarrësit të kenë pakënaqësi lidhur me klimën e biznesit, ky nuk duket të jetë rasti i investitorëve gjeorgjianë. Khetsuriani shprehet i kënaqur me ambientin e të bërit biznes dhe me marrëdhëniet me institucionet shqiptare.

“Institucioni kryesor me të cilin na lidh puna është Banka e Shqipërisë dhe mund të them me bindje se ata veprojnë sipas standardeve të institucioneve më të mira homologe ndërkombëtare. Gjithashtu, kemi bashkëpunim të mirë me bashkitë. Kemi nisur një projekt me Bashkinë e Tiranës për pagesën e parkimit në kryeqytet përmes platformës sonë,” thotë ai.

Për të ardhmen e afërt, objektivi i “Pay&Go” është zgjerimi në tregun rajonal dhe kompania ka një plan konkret për nisjen e biznesit në Kosovë.

“IuteCredit”, kreditë e shpejta që erdhën nga Estonia

Pas Sllovenisë dhe Sllovakisë, Estonia ishte vendi i tretë nga ish-Blloku i Lindjes që iu bashkua monedhës Euro në vitin 2011. Nëse ka diçka për të cilën Estonia njihet sot në Botë, është zhvillimi i teknologjisë: prej vitesh vendi Balltik konsiderohet si e-country. Është një vend ku teknologjia e informacionit zhvillohet me ritme të larta, në shërbim të individëve dhe bizneseve, jo vetëm vendase. Psh. progami Skype, i cili më pas u ble nga “Microsoft”, është krijuar nga tre estonezë. Sot në Estoni votohet elektronikisht.

Në vitin 2008, dy estonezë, Tarmo Sild dhe Allar Niinepuu themeluan “IuteCredit”, një kompani që, siç thuhet në faqen e kompanisë, ka si mision të transformojë financimet afatgjata në kredi konsumatore afatshkurtra.

Megjithëse është një kompani nga Estonia, “IuteCredit” nuk ka pasur ndonjëherë aktivitet të drejtëpërdrejt biznesi në këtë vend. Sipas vizionit të kompanisë, Estonia mund të quhet një mjedis biznesi relativisht i sigurt dhe i avancuar, ndaj tregjet potenciale për kompanitë e këtij lloji janë vendet më pak të zhvilluara. Duke analizuar të ardhurat për frymë, borxhin për frymë, gjendjen e infrastrukturës bazë, burokracinë dhe nivelin e zhvillimit të shërbimeve financiare, aksionerët e “IuteCredit” kanë arritur në përfundimin se tregjet ideale për biznesin e tyre janë vendet e Ballkanit. “Nëse mund t’ia dalësh në Moldavi dhe Shqipëri, mund t’ia dalësh kudo” thuhet tekstualisht në faqen e “IuteCredit”.

Po të shohësh pasqyrat financiare, deri tani biznesi i “IuteCredit” po rezulton shumë fitimprurës. Për vitin 2016, kompania siguroi nga aktiviteti i saj në Shqipëri dhe Moldavi një kthim nga kapitali në rreth 50% dhe kthim nga aktivet në afro 12%. Kthime të tilla do t’i kishte zili ëdo biznes në këto kohë. Kreditë e shpejta janë produkte me marzhe shumë të larta dhe norma efektive e interesit, sipas “IuteCredit” Shqipëri, arrin deri në 126%.

Akan Ajdini, drejtor i përgjithshëm i “IuteCredit Shqipëri”, thotë se profili i aksionerëve nuk vjen nga sistemi financiar tradicional dhe modeli i biznesit nuk kërkon të zhvillohet si bankat, përkundrazi.

“Objektivi i aksionerëve është të zhvillojnë në çdo vend ku operojnë, kompaninë ofruese të kredive më të shpejta, më të thjeshta në procedura, nga këndvështrimi i klientit, duke i ofruar këtij të fundit një eksperiencë të jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë po aq i rëndësishëm është realizimi i fitimeve për investitorët e ndryshëm dhe aksionerët e kompanisë,” thotë ai.

Pas fillimit të këtij aktiviteti në Moldavi, në vitin 2008 dhe duke parë ecurinë e mirë, aksionerët vendosën të zgjerojnë aktivitetin edhe në Shqipëri, në vitin 2014. Pas licencimit nga Banka e Shqipërisë, aktiviteti i kredidhënies filloi në Prill të vitit 2015. Ndërsa prej vitit 2017, “IuteCredit” është zgjeruar duke hyrë në Maqedoni dhe Kosovë. Në fund të vitit 2017, portofoli i kredisë i grupit në të katër shtetet ku operon është afro 20 milionë euro.

“Kredo Finance”, investimi vjen nga Letonia

Në fund të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë licencoi kompaninë e dytë të fokusuar në dhënien e kredive të vogla dhe të shpejta konsumatore, “Kredo Finance”. Aksioneri i shoqërisë është biznesmeni letonez, Aigars Kesenfelds.

Fillimet e Kesenfelds në tregun financiar i takojnë vitit 2008, kur, së bashku me tre miq të tij, ngriti kompaninë “4finance”. Kesenfelds nuk mund të quhet një biznesmen i bërë nga hiçi, duke pasur parasysh se i ati, Ivars Kesenfelds, është një biznesmen dhe politikan i njohur në Letoni. Pavarësisht nga kjo, “4finance” do të rezultonte një start up shumë i suksesshëm dhe pas katër vitesh u ble në dy etapa nga miliarderi rus Oleg Boyko, për rreth 105 milionë euro. Disa nga investimet e mëvonshme të Kesenfelds, ku mund të përfshijmë edhe “Kredo Finance” janë financuar me paratë e fituara nga shitja e biznesit të tij të parë.

“Kredo” e ka konceptuar pothuajse të gjithë procesin e aplikimit në distancë, online. Operatorët marrin kredencialet e klientit të interesuar, e telefonojnë dhe e asistojnë për mënyrën si do të dërgojë dokumentet, një kopje e ID dhe një klauzolë e pëlqimit paraprak për kërkim në regjistrin e kredive. Në momentin që klienti kualifikohet për të përfituar kredinë, si hap të fundit, ai thirret në degë vetëm për të bërë nënshkrimin e kontratës. Kjo ndodh sepse procedura e nëshkrimit elektronik është ende në fazë eksperimentale. Në fund, paratë i transferohen klientit në llogarinë bankare.

Biznesi i kredive të shpejta në shuma të vogla është relativisht i ri dhe i lidhur me zhvillimin e teknologjisë, që është një ndër elementët kyç që e ndihmon këtë lloj kredidhënieje. Deri tani, ky segment ka rezultuar mjaft dinamik. Mjaft kompani të reja, të nisura si start up, janë shitur në harkun e pak viteve, edhe falë suksesit të këtij modeli biznesi. Kjo lë të kuptohet se objektivi i këtij investimi do të jetë shitja kundrejt një përfitimi të kënaqshëm, në një kohë relativisht të shkurtër. Në fund të fundit, Aigars Kesenfelds këtë e ka bërë me sukses me disa prej bizneseve të ngjashme në vende të tjera.

“Mogo”, lizing për makina të përdorura

Tregu i financimeve të shpejta po tërheq shumë investitorë në Shqipëri, ashtu si në shumicën e vendeve të tjera të rajonit. Për shkak se kreditë e shpejta janë relativisht të reja, investitorët vlerësojnë se potencialet e rritjes mund të jenë mjaft të rëndësishme. Dy emra të tjerë të rinj në këtë treg janë “Mogo Albania”, që sapo ka nisur aktivitetin dhe “Digital Finance”, kompani e mikrokredisë që pritet të licencohet së shpejti nga Banka e Shqipërisë. “Mogo” ka sjellë për herë të parë qiranë financiare si instrument për blerjen e e makinave të përdorura. Zakonisht, lizingu financon makina të reja, të regjistruara prej jo më shumë se pesë vjetësh. “Mogo” synon të ofrojë financime për të gjitha llojet e mjeteve, pavarësisht nga sa të vjetra janë. Rreziku i lartë sigurisht mbulohet nga norma efektive interesi shumë të larta, që shkojnë deri në 42%. Aksioneri i “Mogo Albania” është “Mogo Finance”, një kompani e regjistruar në Luksemburg, ku besohet se ka një pjesëmarrje kontrolluese nga biznesmeni letonez Aigars Kesenfelds, pronar i vetëm i shoqërisë tjetër të sapolicencuar në Shqipëri, “Kredo Finance”.

“Digital Finance”, fintech që vjen nga Rusia

Një tjetër kompani e sapo licencuar si institucion financiar jo bankë është “Digital Finance”. Aksioneri i saj është miliarderi rus Oleg Boyko. Sipas revistës “Forbes”, ai mban vendin e 61-të në renditjen e njerëzve më të pasur në Rusi.

Siç mund të kuptohet qartë nga emri, “Digital Finance” është një kompani e gjeneratës fintech, që synon të përdorë horizontet e reja të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në shërbim të shërbimeve financiare. Veç Shqipërisë, kjo kompani ka hapur një filial edhe në Maqedoni. Kjo dëshmon se shumica e investitorëve në shërbimet e mikrofinancës kanë një orientim rajonal në tregun e Ballkanit Perëndimor.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


223 mln euro në tremujorin II

Bien investimet e huaja

Investimet e huaja në Shqipëri

Kapitali grek ruan “fronin”