Nuk ka vonuar shumë goli i parë i Eros Grezda me ekipin e ri Rangers në Skoci. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka hedhur hapin e parë drejt shpalosjes së aftësive të tij me gjigantët skocezë.
Trajneri Steven Gerard vendosi të shihte 23-vjeçarin shqiptar në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndërmjet Rangers-it dhe ekipit të Motherëell 2. Lojtari shqiptar e nisi takimin nga minuta e parë dhe arriti të shënonte golin e tij të parë me fanellën e klubit të ri, por dhe të dytin të skuadrës së tij.
Grezda përshëndeti rrjetën në minutën e 41′ duke u treguar të gjithëve se është një futbollist që vlen dhe ka cilësi të mira. Takimi përfundoi me rezultatin 6-2 dhe i shërbeu stafit teknik për të parë gjendjen e futbollistëve të stolit.
Lojtari shqiptar duket se do të vuajë pak deri në momentin që do të përshtatet komplet me ekipin skocez. Fillimi është gjithmonë i vështirë, por gjetja e rrjetës mund ta çlirojë pak psikologjikisht 23-vjeçarin. Të shohim dhe të presim se si do të shkojë ecuria e futbollistit shqiptar.