MENU
klinika

Kategoria Superiore, java 3

Flamurtarit i mjafton 1 gol edhe në Gjirokastër

01.09.2018 - 18:54

Flamurtari vijon marshimin e tij duke marrë maksimumin dhe në fushën e Luftëtarit, pas fitores 1-0. Të besuarit e teknikut Ilir Daja kanë mundur që të triumfojnë minimalisht në Gjirokastër, duke ju falur kapitenit Tomislav Bushiç.

Sulmuesi kroat ishte i saktë në minutën e 25-të, pasi shfrytëzoi maksimalisht një pasim të Mustës nga e majta. Në pjesën e parë skuadra ishin të kujdesshme, por pas avantazhit të vlonjtavë vendasit tentuan të reagonin, por pa mundur që të arrinin të gjenin golin.

Në pjesën e dytë skuadrat zhvilluan një lojë të hapur dhe krijuan raste të pastra për shënim. Ishte fillimisht Bushiç, ai i cili mund të kishte vulosur që në mesin e pjesës së dytë fatin e këtij takimi, pasi kishte një mundësi ideale për të dyfishuar rezultatin, por shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme.

Flamurtari vijon që të mbajë portën e paprekur edhe pas javës së tretë, por në të njëjtën kohë shkon në kuotën e 7 pikëve, duke arritur vendin e parë, së bashku me Skënderbeun. Në anën tjetër është Luftëtari, i cili humbet ndeshjen e tretë radhazi në Superiore. Bluzinjtë pozicionohen në vendin e fundit të klasifikimit.

Luftëtari – Flamurtari 0-1

Bushiç 25′

Luftëtari: Ruçi, Liçaj, Rapa, Janiçiç, Demo, Aleksi, Ramadani, Radoviç, Ymeraj, Milosavljev, Shkurtaj. Trajner: Milosh Kostiç.

Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Pollozhani, Alla, Kotobelli, Deliaj, Beqja, Batha, Hyseni, Musta, Bushiç. Trajner: Ilir Daja

Gjyqtarë: Klodian Shahini, Dojando Myftari, Mateo Sadikaj, Andi Koçi