Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka folur sot rreth iniciativave në Kosovë për formimin e ushtrisë së Kosovës. Sipas tij, transformimi i FSK-së në ushtri e “kërcënon stabilitetin dhe sigurinë”.
Sipas ministrit të Jashtëm serb, formimi i ushtrisë është në kundërshtim me rendin juridik ndërkombëtar aktual dhe Rezolutën 1244 të UNMIK-ut, e cila ushtrinë e Kombeve të Bashkuara, KFOR-in e konsideron si të vetmen prani ushtarake me mandat sigurie në Kosovë.
Ivica Daçiç në një deklaratë për media tha se krijimi i një ushtrie që do të shërbente paralelisht me KFOR-in, do të kishte synim sipas tij, vetëm hapjen e një konflikti të ri.
“Për çfarë tjetër do të shërbente ajo forcë krahas KFOR-it, përveçse për ndonjë konflikt eventual”, shtoi Daçiç.
Këto reagime nga Beogradi zyrtar vijnë pasi sot Qeveria e Kosovës ka bërë miratimin e pakos së projektligjeve që rregulojnë rolin, funksionin dhe shërbimin e FSK-së, si dhe nisjen e transformimit të saj në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).