Barcelona ka “shpërthyer” në javën e tretë të La Liga-s, teksa ka fituar në shtëpi 8-2 ndaj Huesca, ku 2 gola i ka shënuar Messi, teksa ngjitet në kuotën e 4 golave në krye në 3 javë kampionat.
Dhe të mendosh se gjithçka ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme për miqtë, të cilët kanë kaluar në avantazh pas vetëm 3 minutash lojë me Cucho-n. Një avantazh ky që ka zgjatur plot 13 minuta, teksa Messi ka kthyer ekuilibrin në të 16-ën.
Tetë minuta më vonë ka ardhur përmbysje me autogolin e Pulido-s, teksa Luis Suarez ka realizuar golin e tretë për vendasit në minutën e 39-të. Miqtë nuk janë dorëzuar dhe tri minuta para fundit të pjesës së parë kanë ngushtuar diferencat me Gallar.
Në pjesën e dytë kanë ardhur katër gola të tjerë të katalanasve, të cilët kanë realizuar dy herë në harkun e katër minutave me Dembele (48′) dhe Rakitic (52′). Messi (61′), Alba (81′) dhe Suarez (82′, me penallti) kanë shënuar tre të tjerët, duke fiksuar shifrat në 8-2.
Barcelona është ngjitur në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Real Madrid, por ka rimarrë kreun e renditjes falë diferencës së golave. Huesca, nga ana tjetër mban vendin e 13-të në kampionat me katër pikë pas tri javëve të para.