MENU
klinika

Energjia diellore

Gjashtë oferta për parkun fotovoltaik të Vlorës

18.09.2018 - 15:36

Gjashtë kompani të huaja kanë paraqitur zyrtarisht oferta për të ngritur një impiant fotovoltaik në Akërni të Vlorës.

Ofertat e kualifikuara do të shqyrtohen dhe vlerësohen sipas Kritereve të Kualifikimit dhe Vlerësimit si dhe Metodologjisë së Vlerësimit të Ofertës, të përcaktuara në Dokumentat e Procesit Konkurrues. Gara e shpallur nga qeveria shqiptare parashikon ngritjen e një impiant me fuqi të instaluar prej së paku 50 MW dhe kriteri përcaktues do të jetë çmimi i ofruar.

Fituese e garës, sipas kritereve, do të jetë kompania që do të ofrojë çmimin më të ulët të shitjes së energjisë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) e vlerëson këtë proces, si një nga arritjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë, pasi ky investim do të shërbejë për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike por dhe promovimin e burimeve të rinovueshme dhe konkretisht të asaj diellore. Sipas MIE, ky projekt është në përputhje me politikat e qeverisë shqiptare për incentivimin e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe mbi të gjitha mundëson tërheqjen e investitorëve të huaj në këtë sektor, duke e kthyer Shqipërinë një qendër rajonale të prodhimit të energjisë.

Qeveria synon që të instalojë kapacitete të prodhimit të energjisë diellore prej 120 MW brenda vitit 2020.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN