Njëqind e pesë mijë turistët që kanë vizituar Gjirokastrën gjatë muajve janar-gusht, e rendisin qytetin në krye të listës së destinacioneve më të preferuara gjatë këtij viti. Gentiana Brahimi specialiste pranë zyrës së trashëgimisë dhe turizmit pranë bashkisë së Gjirokastrës tregon për Konica.al se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë shifrat dëshmojnë një rritje me 30%.
Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit nuk kanë munguar edhe turistë nga vende të largëta sikurse Japonia e Australia, teksa italianët e polakët kanë qenë turistët më të shumtë që kanë preferuar të vizitojnë Gjirokastrën në grupe të organizuara. “Jo vetëm zona historike por dhe resurset e shumta në të gjithë territorin e bashkisë janë shkelur nga turistët” – shprehet Brahimi.
Organizimi një aktiviteteve gjatë sezonit si dhe rikonceptimi i mjaft muzeumeve dhe rrugicave karakteristike i kanë shërbyer po ashtu arritjes së këtij objektivi.
Edhe gjatë këtij muaji që sapo ka nisur pritet që aktivitetet kulturore të shtojnë numrin e vizitorëve që do të vijnë në Gjirokastër për atë çka qyteti ofron më së miri: kulturë, traditë dhe histori.
Përgatiti E.B.