MENU
klinika

Trump kundërshton akuzat

“Israeli, ‘macja e zezë’ për Lindjen e Mesme”

26.09.2018 - 12:16

Presidenti iranian Hassan Rohani tha në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën se Izraeli mbetet një kërcënim  i madh në Lindjen e Mesme.

Ai tha se mbajtja e armëve bërthamore nga Izraeli është një rrezik për të gjithë rajonin dhe se mbështetja amerikane i ka lejuar Izraelit të kryejë “krime kundër palestinezëve”. Presidenti iranian gjithashtu e quajti vendimin e Trump për të zhvendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem “të shëmtuar”.

Ndër të tjera Rohani tha se Irani luftoi kundër Al-Kaidës dhe ISIS-it shumë kohë para se vendet perëndimore të bashkoheshin me luftën kundër këtyre organizatave.

“Që nga fillimi i krizës në Siri, ne kemi paralajmëruar kundër çdo ndërhyrjeje të huaj në punët e brendshme të këtij vendi dhe përdorimit të mjeteve të paligjshme”, tha Rohani.

Rohani tha se administrata Trump po përpiqet të ndryshojë regjimin në Iran, pavarësisht mohimeve. Rohani tha se politika amerikane ndaj Iranit ka qenë e gabuar që në fillim. “Asnjë shtet dhe komb nuk mund të ulet në tryezën e negociatave me forcë,” tha Rohani.

Ai tha se fillimi i dialogut fillon me përfundimin e kërcënimeve dhe sanksioneve të padrejta, duke shtuar se ajo që kërkon Irani është e qartë: jo luftë, jo sanksione, jo kërcënime.

Gjithashtu të mërkurën, këshilltari i sigurimit kombëtar i SHBA, John Bolton, paralajmëroi Iranin se do të paguante për çdo veprim kundër SHBA-ve ose aleatëve të saj.

“Ditët e mosndëshkimit për Teheranin kanë përfunduar,” tha Bolton. “Regjimi i vrasjes dhe mbështetësit e saj do të përballen me pasoja të rënda nëse nuk ndryshojnë sjelljen e tyre”.

Trump e akuzoi ashpër Iranin gjatë fjalimit të tij në OKB të martën, duke thënë se çdo zgjidhje për krizën humanitare në Siri duhet të përfshijë një strategji për të shkatërruar diktaturën në Iran dhe duke shtuar se “ata nuk i respektojnë fqinjët dhe kufijtë e tyre”.

“Diktatura përdor fondet për të financuar terrorizmin dhe për të financuar vrasje në Siri dhe Jemen”, tha Trump.

“Ne nuk mund të lejojmë një regjim që mund të sjellë vdekje në Amerikë dhe që kërcënon Izraelin ” përfundoi presidenti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen