MENU
klinika

Debati për korrigjimin e kufijve

Kufijtë/ Nesër seancë e jashtëzakonshme në Kosovë

03.09.2018 - 12:42

Kuvendi i Kosovës do të diskutojë nesër në një seancë të jashtëzakonshme tezën e presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, me kërkesë të opozitës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se në seancën e së martës do ta kenë vetëm një pikë të rendit të ditës.

“Lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë do të mbahet të martën, më 4 shtator”, u shpreh Kadri Veseli, kryetar i Kuvendi të Kosovës.

Partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe PSD kanë dorëzuar javën e kaluar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme më 4 shtator.

Në këtë seancë pritet të miratohet rezoluta, e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territor.

Ndërkohë që më parë presidenti i Kosovës, Hashim Thaci në një përgjigje sa i përket debatit që është ndezur mbi rishikimin e kufijve Kosovë-Serbi ka thënë se nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim.

“Po bashkangjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si tërësi me Kosovën. Po njohjes reciproke Kosovë – Serbi dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizata ndërkombëtare. Jo ndarje, jo shkëmbim territoresh. Të tjerat fake news”, ka shkruar Thaçi.

M.H