Disa nga mediat më të mëdha botërore kanë raportuar për ndeshjen e mbrëmshme të Kosovës kundër Ishujve Faroe, të cilën Kosova e fitoi me rezultat 2-0.
Ky rezultat shënoi fitoren e parë të Kosovës në një ndeshje me karakter garues në historinë e saj. Ndeshja ishte e vlefshme për rundin e dytë të ndeshjeve të grupit të tretë, ligës D, në kuadër të turneut të Ligës së Kombeve.
Ndeshja ishte edhe më e veçantë për shkak ishte ndeshja e parë që Kosova do ta luante në shtëpi, në stadiumin “Fadil Vokrri”, i cili u licensua nga UEFA muajin e kaluar.
Reuters shkruan se Kosova e ka mposhtur skuadrën e Ishujve Faroe për të siguruar kështu fitoren e tyre të parë: “Kosova e mposhti skuadrën e Ishujve Faroe për ta siguruar fitoren e parë me karakter garues”.
Ndërkohë, tifogrupi më i madh i përfaqësueses së Kosovës, “Dardanët” kanë krijuar një koreografi spektakolare për Fadil Vokrrin. Të gjithë tifozët kanë mbajtur letrat me numrin 9.
“Heroi ynë”, shkruhej në koreografinë e Dardanëve, të cilët kanë falenderuar legjendën e futbollit kosovar për atë cka bëri për Kosovën, që të anëtarësohej në UEFA dhe FIFA.