Kombëtarja shqiptare nuk ka pësuar humbjen më turpëruese të historisë mbrëmë ndaj Skocisë, por gjithsesi, tifozët kuqezi kanë kritikuar si lojën e futbollistëve, ashtu edhe skemat e trajnerit e zgjedhjet e tij për titullarët.
Edhe mediet e huaja kanë gjetur momentin të bëjnë ironi. Sipas të përditshmes “The Guardian”, Skocia e meritoi plotësisht fitoren dhe, pas golit të dytë, Shqipëria nuk dukej e aftë të kthehej në lojë, duke u dorëzuar totalisht.
Ndërkohë, “Daily Mail” fokusohet më tepër te Bekim Balaj, i cili nuk arriti të shënonte: “Sulmuesi i Akhmat Groznit do të kthehet i stresuar në shtëpi, pasi humbi një tjetër rast të jashtëzakonshëm pas krosit të Ndoj”.
Ndërsa tabloidi i famshëm “The Sun” shkruan se Skocisë, në pjesën e parë i mungoi saktësia para portës dhe, si rrjedhojë, golat erdhën në të dytën. E përditshmja britanike thekson se vendasit mund të kishin shënuar golin e tretë, por ndërhyrja e Prengës ishte vendimtare.
“The Herald” ka përfituar nga situata për të bërë ironi, duke e konsideruar fitoren e Skocisë, një lloj hakmarrjeje për golin e famshëm të Panuccit ndaj Skocisë, kur luante me Italinë në vitin 2007, duke kujtuar gjithashtu fanellat e bardha si Italia e vitit 2007.